Irani kërcënon me mbyllje të ambasadës britanike në Teheran

Ministria e Punëve të Jashtme të Iranit, pjesëmarrjen e ambasadorit Macaire në protesta kundër regjimit e cilësoi si të paligjshme dhe joprofesionale.

Irani kërcënon me mbyllje të ambasadës britanike në Teheran

Irani dha sinjalin se mund të mbyllë ambasadën e Anglisë në Teheran, nëse ambasadori Rob Macaire vazhdon të ndërhyjë në ngjarje.

Në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Iranit, pjesëmarrja e ambasadorit Macaire në protesta kundër regjimit u cilësua si e paligjshme dhe joprofesionale, ndërsa u tha që “Irani dënon fuqimisht pjesëmarrjen e dyshimtë të ambasadorit Macaire në protesta dhe deklaratat e papërshtatshme të autoriteteve angleze”.  

Gjithashtu mbrohet qëndrimi që deklaratat e zyrtarëve anglezë në lidhje me vrasjen e Qasem Soleimani janë të njëjta me hapat që hodhën Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe se pjesëmarrja e ambasadorit Macaire në protesta në Teheran nënkupton ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit, ndërsa bëhet thirrje për dhënien fund të këtyre lloj akteve.

Në mes tjerash në komunikatë Irani paralajmëroi se pjesëmarrja e Macaire në protesta është në kundërshtim me parimet diplomatike dhe nëse qëndrimet e tilla vazhdojnë, atëherë Ministria e Jashtme e Iranit nuk do të mjaftohet vetëm me thërritje të ambasadorit në Ministri.

Ambasadori britanik në Teheran, Rob Macaire, i cili mori pjesë në një ngjarje përkujtimore për ata që humbën jetën në aksidentin e avionit ukrainas që Irani rrëzoi gabimisht, më 11 janar ishte ndaluar me pretendim “për organizim dhe nxitje të disa ngjarjeve radikale dhe shkatërruese”, ndërsa u lirua pas disa orëve.

Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab kishte deklaruar se ndalimi i Macaire paraqet një "shkelje të tepruar të ligjit ndërkombëtar".

Ndërkaq Irani i kishte dhënë një notë proteste udhëheqjes së Londrës me arsyetimin se ambasadori britanik ka marrë pjesë në "protesta të paligjshme" në Teheran.

 


Lajme të ngjashme