Irani kërkon falje për rrëzimin aksidental të avionit të pasagjerëve të Ukrainës

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani i kërkoi falje Presidentit të Ukrainës Vladimir Zelenskiy për qëllimin aksidental të avionit të pasagjerëve të kompanisë së linjave ajrore të Ukrainës.

1339109
Irani kërkon falje për rrëzimin aksidental të avionit të pasagjerëve të Ukrainës

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani i kërkoi falje Presidentit të Ukrainës Vladimir Zelenskiy për qëllimin aksidental të avionit të pasagjerëve të kompanisë së linjave ajrore të Ukrainës.

Në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga zyra e Presidentit të Ukrainës thuhet se Presidenti Rouhani i telefonoi Presidentit Zelenskiy.

Në komunikatë bëhet e ditur se gjatë bisedës u fol për çështjen e qëllimit aksidental të avionit të pasagjerëve, ndërsa thuhet që “Rouhani i shprehu ngushëllime popullit ukrainas dhe familjeve të viktimave të këtij aksidenti. Ai kërkoi falje në emër të Iranit për tragjedinë në të cilën humbën jetën 176 persona. Rouhani pranoi plotësisht se tragjedia ndodhi për shkak të veprimeve të gabuara të vendit të tij”.

Në mes tjerash bëhet e ditur që autoritetet iraniane do t’i mbajnë përgjegjës personat të cilët janë fajtorë për rrëzimin e avionit, ndërsa thuhet se Presidenti Zelenskiy ka vënë theksin në nevojën për dërgimin sa më parë të trupave të pajetë të qytetarëve ukrainas.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës do t'i japë një notë Iranit, ku do të përfshihen kushtet e kompensimit për incidentin në fjalë.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani edhe gjatë bisedës telefonike me Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau shprehu keqardhje për këtë ngjarje.

Rouhani kujtoi se ai ka dhënë udhëzimet e nevojshme për vazhdimin e hetimit teknik dhe juridik dhe u shpreh se Irani mirëpret të gjitha llojet e bashkëpunimit me qëllim që kjo ngjarje të dalë në dritë në kuadrin e ligjeve ndërkombëtare.

Ai gjithashtu tha se Irani lehtëson çështjet konsullore dhe se ministrat e Jashtëm të dy vendeve janë të gatshëm të vazhdojnë negociatat.

Edhe Kryeministri Trudeau shprehu keqardhje për humbjen e jetëve dhe tha se duhet të bashkëpunohet dhe të bëhen përpjekje për zbulimin e shkaqeve të aksidentit.

Trudeau shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e ministrave të Jashtëm dhe lehtësimin e shërbimeve konsullore për qytetarët kanadezë.

 


Lajme të ngjashme