Britani e Madhe – Dhoma e Komunëve miraton Brexit-in

Deputetët britanikë miratuan të enjten, gjatë një votimi historik pas tre viteve e gjysmë krizë, draftin që do t’i mundësojë Britanisë së Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian më datë 31 janar.

Britani e Madhe – Dhoma e Komunëve miraton Brexit-in

Dhoma e Komunëve (Dhoma e Ulët e Parlamentit), e dominuar gjerësisht nga konservatorët e Kryeministrit Boris Johnson, miratoi tekstin me 330 vota pro dhe 231 kundër.

Gjatë bisedimeve përpara votimit, deputetët refuzuan 3 propozime për ndryshim në draftin e ligjit: i pari për t’u njohur të drejtën e lejes së qëndrimit apo rezidencës pa afat qytetarëve të BE-së; i dyti për t’u dhënë të drejtën e apelimit qytetarëve të BE-së, të cilëve u refuzohet aplikimi për leje qëndrimi; si dhe i treti për të drejtën e bashkimit familjar të refugjatëve të mitur të pashoqëruar nga një i rritur.

Pas shqyrtimit nga Dhoma e Lordëve (Dhoma e Lartë e Parlamentit) javën e ardhshme dhe pas miratimit të Mbretëreshës, teksti që kthen në ligj marrëveshjen e Brexit-it, do të ratifikohet nga Parlamenti Evropian më 29 janar.

Në fund të tre viteve e gjysmë krizë dhe bllokimesh, tashmë rruga është e hapur për kapërcimin e madh më 31 janar.



Lajme të ngjashme