Iraku: Irani na informoi përpara se të godiste bazat amerikane në Anbar dhe Erbil

Kryeministri në detyrë i Irakut, Adil Abdul-Mahdi, deklaroi të mërkurën se Irani e kishte njoftuar Bagdadin përpara se të godiste bazat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qytetet irakiane të Erbilit dhe Anbarit.

1337300
Iraku: Irani na informoi përpara se të godiste bazat amerikane në Anbar dhe Erbil

“Në mesnatë, morëm një njoftim zyrtar verbal nga Irani se hakmarrja e tyre ndaj vrasjes së dëshmorit Qasem Soleimani kishte filluar ose do të fillonte së shpejti”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit irakian.

“Iraku u informua se sulmet iraniane do të kufizohen në vendet ku janë dislokuar trupat amerikane, por jo për pikat që do të goditeshin”, saktësoi ai.

Pasi theksoi se informacionin për këto sulme ia ka përcjellë personalisht SHBA-së, Kryeministri Abdul-Mahdi vijoi me këto fjalë: “Ndërkohë raketat po binin mbi bazat ushtarake Ain al-Assad në Anbar, Harir në Erbil dhe mbi zona të tjera. Ne paralajmëruam njësitë irakiane të sigurisë që të marrin masat e nevojshme që në çastin kur morëm informacionin se do sulmohej. Nuk kemi informacione zyrtare rreth ndonjë humbjeje në sulm nga ana e forcave të Irakut dhe koalicionit.”

Shefi i përkohshëm i qeverisë irakiane vuri në pah se po bëjnë përpjekje diplomatike për të parandaluar hyrjen e vendit të tij në një luftë të hapur dhe se shkelja e sovranitetit të Irakut është e papranueshme.

Ai ftoi të gjitha palët që të veprojnë me qetësi karshi sulmeve dhe kërkoi që të respektohen vendimet e shtetit dhe qeverisë së Irakut në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Herët të mërkurën, Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) lëshoi më shumë se një duzinë raketa balistike kundër forcave ushtarake amerikane dhe atyre të koalicionit në Irak.

Kjo vjen pasi Parlamenti i Irakut votoi të dielën një rezolutë për të dëbuar trupat amerikane nga vendi, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk pranoi ta bëjë këtë duke e kërcënuar Bagdadin me sanksione.

Tensionet janë të larta në rajon pas një sulmi ajror amerikan javën e kaluar në afërsi të Aeroportit të Bagdadit, ku mbeti i vrarë gjenerali i lartë iranian, Qasem Soleimani.

Pas sulmeve iraniane ndaj dy bazave amerikane në Irak, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javid Zarif, konfirmoi se Irani mori masa vetëmbrojtëse dhe nuk kërkon të përshkallëzojë konfrontimin.



Lajme të ngjashme