Rouhani: Sanksionet janë kthyer në një mjet për vazhdimin e planeve hegjemonike të SHBA-së

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, deklaroi të mërkurën se sanksionet ekonomike të njëanshme që aplikohen ndaj vendeve nga administrata e Uashingtonit, janë kthyer në një mjet për vazhdimin e planeve të hegjemonisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

1326136
Rouhani: Sanksionet janë kthyer në një mjet për vazhdimin e planeve hegjemonike të SHBA-së

Duke folur në Samitin e Kuala-Lumpurit 2019 në kryeqytetin e Malajzisë, Rouhani theksoi se sfidat e zhvillimit të botës islame janë problemet kulturore, ekonomike dhe të sigurisë.

Rouhani tërhoqi vëmendjen se bota islame po përballet me kërcënime të shumta të sigurisë nga skaji më perëndimor i Afrikës deri në caqet më lindore të Azisë. Ai tha se kërcënimet më të mëdha për botën islame janë kanosjet ushtarake, politike dhe ekonomike të SHBA-së, masakrat e Izraelit në Palestinë dhe idetë radikale.

“Paqëndrueshmëria në disa vende myslimane i ka hapur rrugë ndërhyrjeve të huaja. Luftërat në Siri dhe Jemen, kaosi dhe destabiliteti në Irak, Liban, Libi e Afganistan, janë një rezultat i bashkimit të ideve radikale lokale dhe ndërhyrjeve të huaja”, vlerësoi presidenti iranian.

Sipas tij, problemet në Lindjen e Mesme dhe sidomos ato në Jemen, Afganistan, Siri, Libi e Liban janë një pasojë e politikave të papërgjegjshme dhe përçarëse.

“Ne besojmë se për zgjidhjen e problemeve në botën islame duhet të garantohet klima e dialogut të ndërsjellë, e tolerancës për opinionet e ndryshme islame dhe e respektimit të sovranitetit kombëtar të vendeve”, theksoi Rouhani.

Ai potencoi se sanksionet ekonomike të njëanshme që aplikohen ndaj vendeve nga administrata e Uashingtonit, janë të jashtëligjshme.

“Sanksionet janë kthyer në një mjet për vazhdimin e planeve hegjemonike të SHBA-së. Ngërthimi i ekonomisë botërore me sistemin ekonomik amerikan dhe dollarizimi i ekonomive kombëtare e ndërkombëtare i japin SHBA-së këtë shans”, u shpreh Rouhani duke nënvizuar se vendet islame duhet të gjejnë një rrugë për të parandaluar hegjemoninë e dollarit në ekonominë globale.

“Vendet islame kanë mjetet e nevojshme dhe aftësinë për ta plotësuar njëra-tjetrën në aspektin ekonomik”, potencoi presidenti iranian dhe shtoi se ekspertët e ekonomisë duhet të marrin në konsideratë dhe vlerësojnë seriozisht çështje si krijimi i mekanizmave speciale ndërmjet vendeve islame për sistemin bankar dhe financiar, për realizimin e tregtisë së ndërsjellë me njësitë monetare kombëtare dhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë preferenciale.



Lajme të ngjashme