Francë – Kryeministri Philippe: Punë deri në 64 vjeç për të marrë pension të plotë

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, deklaroi të mërkurën në mbrëmje se për të marrë pension të plotë në kuadër të reformës së pensioneve, e cila shkaktoi debate të ashpra dhe greva në vend, qytetarët duhet të punojnë deri në moshën 64 vjeç.

Francë – Kryeministri Philippe: Punë deri në 64 vjeç për të marrë pension të plotë

Gjatë një konference shtypi në Paris, Edouard Philippe theksoi se reforma e pensioneve do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave më 22 janar dhe më pas, në fund të shkurtit, do të diskutohet në Asamblenë Kombëtare.

Duke nënvizuar se kjo reformë do të sjellë një skemë universale të pensioneve, do të heqë gradualisht privilegjet për sektorë të ndryshëm dhe thjeshtësojë një sistem prej 42 planesh të pensioneve që ofrojnë një nga përfitimet më bujare në të gjithë botën; kryeministri francez bëri me dije se pensioni minimal do të jetë 1.000 euro.

“Mosha e pensionimit do të mbetet 62 vjeç, mirëpo punëtorët do të duhet të punojnë derisa të mbushin 64 vjeç për të përfituar pension të plotë. Qytetarët e lindur përpara vitit 1975 nuk do të preken nga sistemi i ri”, tha ai duke shtuar se reforma e pensioneve do të jetësohet vitin 2022.

Pasi vuri në pah se ata që punojnë nën kushte të rënda do të mund të pensionohen 2 vite më herët, Philippe sqaroi gjithashtu se reforma në fjalë do të mbrojë edhe disa privilegje të punonjësve të policisë, xhandarmërisë dhe zjarrfikëses.



Lajme të ngjashme