Barzani: Synojmë të vendosim marrëdhënie të mira me fqinjët të bazuara në paqe

Në fjalën e tij drejtuar popullit me rastin e 100 ditëve të parë të kabinetit të ri qeverisës, Kryeministri i KRG-së, Mesrur Barzani bëri deklarata të rëndësishme në lidhje me marrëdhëniet Bagdad-Erbil dhe për çështje të ndryshme.

Barzani: Synojmë të vendosim marrëdhënie të mira me fqinjët të bazuara në paqe

Kryeministri i Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut (KRG), Mesrur Barzani bëri të ditur që synojnë të vendosin marrëdhënie të ekuilibruara me vendet fqinje të bazuara në paqe.

Në fjalën e tij drejtuar popullit nëpërmjet ekraneve televizive me rastin e 100 ditëve të parë të kabinetit të ri qeverisës, Kryeministri Barzani bëri deklarata të rëndësishme në lidhje me marrëdhëniet Bagdad-Erbil dhe për çështje të ndryshme.

Duke vënë në dukje që stabiliteti dhe paqja e Irakut është në interes të KRG-së, Barzani tha: “Përmirësimi i marrëdhënieve tona me Bagdadin do të ndikojë pozitivisht në jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve irakianë, veçanërisht të KRG-së”.

Barzanî u shpreh se eksporti i naftës në Kirkuk u realizua së bashku me administratën e Bagdadit, ndërsa shtoi se me administratën qendrore të Irakut kanë bashkuar edhe politikat doganore.

Kryeministri i KRG-së deklaroi se ata synojnë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qeverinë qendrore të Irakut në interes të të gjithëve, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Me Bagdadin janë duke u zhvilluar bisedimet për një formulim të drejtë të pjesës së KRG-së në buxhetin e Irakut, mbrojtjen e të drejtave të KRG-së mbi naftën dhe gazin natyror në bazë të kushtetutës, zgjidhjen e çështjeve të rajoneve problematike brenda kornizës së kushtetutës dhe pranimin e forcave peshmerge si pjesë e sistemit të mbrojtjes irakiane”.

Ndërkaq në lidhje me marrëdhëniet me vendet fqinje Barzani tha se “Synojmë të krijojmë marrëdhënie të ekuilibruar me vendet fqinje në bazë të paqes dhe të jemi burim besimi për bashkësinë ndërkombëtare”.



Lajme të ngjashme