Gjermani – Wulff: Islami i përket tashmë edhe vendit tim

Presidenti 10. i Gjermanisë, Christian Wulff, deklaroi të dielën se Islami i përket tashmë edhe vendit të tij, ku jetojnë rreth 5 milionë myslimanë.

Gjermani – Wulff: Islami i përket tashmë edhe vendit tim

Wulff mori pjesë dhe mbajti një fjalim në konferencën me temë “Integrimi Social në një Shoqëri të Ndryshme”, organizuar nga Vatra Kulturore Turke e Bruhlit.

Ai theksoi se uniteti shoqëror brenda diversitetit dhe dallimeve është një prej çështjeve më të rëndësishme të së ardhmes.

“Në kabinetin tim kishim një ministër mysliman. Në vitin 2014 ne fituam titullin e kampionit botëror me futbollistë si Mesut Ozil, Khedira dhe Boateng, të cilët kanë prejardhje emigrantësh. Gjithashtu Helene Fischer, e cila zbukuron botën tonë të muzikës, është e ardhur nga Rusia. Ajo çfarë dua të them është se multikulturalizmi s’është diçka për t’u pasur frikë, përkundrazi është pasuri shumë e madhe në dobinë e të gjithëve”, u shpreh ish-presidenti gjerman duke pyetur: “Mos vallë dëshirojmë Gjermaninë e viteve 1950, apo duam të çojmë edhe më përpara të shumëngjyrshmen e sotme?”

Gjermania – vijoi ai – ka qenë përherë një vend me shumë kultura në mes të Evropës dhe ne kemi fituar e jemi rritur gjithnjë prej saj, prandaj nuk duhet të largohemi kurrë nga kjo veçori, sepse ne kemi nevojë për të që të bashkëjetojmë në paqe dhe qetësi.

Christian Wulff nënvizoi se ai vazhdon të ketë kontakte me të afërmit e 10 viktimave të organizatës terroriste Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU), 8 prej të cilëve me origjinë turke.

“Fakti që vrasësit racistë të NSU-së u kërkuan brenda familjeve të njerëzve të pafajshëm që u vranë, ishte faji dhe turpi historik i atyre që duhet të gjenin vrasësit”, vlerësoi ai mes të tjerash.



Lajme të ngjashme