UNICEF-i shënon Ditën Botërore të Fëmijëve

Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) shënoi të mërkurën Ditën Botërore të Fëmijëve për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e fëmijëve.

UNICEF-i shënon Ditën Botërore të Fëmijëve

Këtë vit shënohet 30-vjetori i Konventës së OKB-së mbi të Drejtat e Fëmijëve.

“Ndërsa shënojmë 30-vjetorin e Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, le të shohim përpara edhe për 30 vitet e ardhshme dhe të angazhohemi të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar që të mos lëmë asnjë fëmijë prapa”, deklaroi Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF-it, përmes rrjetit social “Twiter”.

“Fëmijët dhe të rinjtë po marrin drejtimin dhe kërkojnë veprime urgjente për çështjet që i prekin”, shtoi ajo.

Fore theksoi se Dita Botërore e Fëmijëve u jep udhëheqësve botërorë një “mundësi të rëndësishme” për të theksuar angazhimin ndaj të drejtave të fëmijëve në të gjithë botën.

“Ashtu si fëmijët e vitit 1989 kanë dalë udhëheqës të sotëm, ju fëmijët dhe të rinjtë e vitit 2019 jeni udhëheqës të së ardhmes. Ju na frymëzoni”, tha Fore në një letër të hapur për fëmijët e botës.

Shefja ekzekutive e UNICEF-it shprehu dëshirën e saj për të punuar së bashku me fëmijët për të gjetur zgjidhjet e nevojshme për të “trajtuar sfidat e sotme” dhe “ndërtuar një të ardhme më të mirë" për veten dhe botën që do të trashëgojnë. / AA



Lajme të ngjashme