Kryeministri i Irakut pranoi se forcat e sigurisë kanë përdorur plumba luftarakë gjatë protestave

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Abdulmehdi bëri deklarata në lidhje me demonstratat e vazhdueshme antiqeveritare që zhvillohen nga 1 tetori.

1305522
Kryeministri i Irakut pranoi se forcat e sigurisë kanë përdorur plumba luftarakë gjatë protestave

Kryeministri i Irakut, Adil Abdulmehdi deklaroi se forcat e sigurisë gjatë protestave kundër qeverisë kanë përdorur plumba luftarakë kundër protestuesve.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Abdulmehdi bëri deklarata në lidhje me demonstratat e vazhdueshme antiqeveritare që zhvillohen nga 1 tetori e këtej në provincat qendrore dhe jugore, veçanërisht në kryeqytetin Bagdad.

Në lidhje me raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Organizatës Ndërkombëtare të Amnistisë (Amnesty International) dhe Organizatës për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (Human Rights Watch) për "përdorimin e armëve vdekjeprurëse kundër demonstruesve", Abdulmehdi tha: “Forcat e sigurisë përdorën plumba luftarakë vetëm për 10 ditë. Kjo çështje tashmë është përfshirë edhe në hetimin e posaçëm të qeverisë për ngjarjet”.

Për çështjen e korrupsionit, e cila është ndër kërkesat e rëndësishme të demonstruesve, Abdulmehdi tha se “Në krye të problemeve që presin zgjidhje ndodhet korrupsioni. Gjithashtu jemi të obliguar të luftojmë edhe me sistemin që nxitë korrupsionin”.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Parlamentit Irakian raportoi se numri i demonstruesve të vrarë në demonstrata që nga 1 tetori ka arritur në 319, ndërsa numri i të plagosurve në 15 mijë.

 


Lajme të ngjashme