BE-ja i bën thirrje Iranit të anulojë çdo aktivitet në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore

Bashkimi Evropian (BE) shprehet i shqetësuar për qëllimin e Iranit për të zvogëluar angazhimet për marrëveshje bërthamore.

1301250
BE-ja i bën thirrje Iranit të anulojë çdo aktivitet në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore

Bashkimi Evropian (BE) shprehet i shqetësuar për qëllimin e Iranit për të zvogëluar angazhimet për marrëveshje bërthamore.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq gjatë konferencës ditore për shtyp tha se janë të shqetësuar nga deklarata që Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani bëri të martën se “vendi i tij do t’i zvogëlojë angazhimet për marrëveshjen bërthamore”.

Kocijançiq theksoi se përkundër tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe zbatimit të sanksioneve, BE-ja i ka përmbushur angazhimet e saj.

“I bëjmë thirrje Iranit të anulojë të gjitha aktivitetet që janë në kundërshtim me angazhimet e tij në marrëveshjen bërthamore, të mbrojë marrëveshjen dhe të shmangë veprimet që mund të dëmtojnë zbatimin e plotë të saj”, deklaroi Kocijançiq.

Zëdhënësja në mes tjerash theksoi se BE-ja do të vazhdojë me angazhimet e saj për sa kohë që Irani do të pajtohet me marrëveshjen.

Presidenti Ruhani ka bërë të ditur se si hap i katërt do të vazhdojnë të injektojnë gaz në 1 mijë e 44 centrifuga në centralin bërthamor Fordo në qytetin Kum, me arsyetimin se vendet evropiane nuk arritën t'i përmbushin angazhimet e tyre në marrëveshjen bërthamore.

 


Lajme të ngjashme