SHBA – Senatori Lindsey Graham kontradiktor në lidhje me PKK-në

Senatori Lindsey Graham, një prej emrave kryesorë nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shfaqur mjaft konfuz dhe kontradiktor në lidhje me organizatën separatiste terroriste PKK.

SHBA – Senatori Lindsey Graham kontradiktor në lidhje me PKK-në

Graham rezultoi ndër politikanët që reaguan më ashpër kundër deklaratës së Presidentit Donald Trump se SHBA-ja nuk do të mbështesë operacionin e mundshëm të Turqisë në veri të Sirisë dhe do të tërheqë ushtarët e saj nga kjo zonë, duke argumentuar se ky është një “vendim i pamatur”.

Pasi i cilësoi terroristët e YPG/PKK-së si “forcat kurde që ndihmuan SHBA-në për të mposhtur DAESH-in”, senatori republikan shkoi edhe më tej duke e kërcënuar Turqinë me “sanksione” në rast se organizon një operacion në veri të Sirisë.

Ndërkohë që Grahami ishte ngulitur në memorie si një mbrojtës i të drejtës së Turqisë lidhur me YPG/PKK-në në një dialog me ish-sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter, gjatë një seance të Kongresit të SHBA-së në vitin 2015.

Asokohe, duke u bazuar në raportet e inteligjencës amerikane rreth lidhjeve të pakontestueshme ndërmjet PYD/YPG-së dhe PKK-së, ligjvënësi republikan i pati drejtuar Carterit pyetjen: “A nuk është PKK-ja një organizatë terroriste në këndvështrimin e qeverisë turke?”

Kurse sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i qe përgjigjur me këto fjalë: “PKK-ja është një organizatë terroriste jo vetëm për qeverinë turke, por edhe për qeverinë e SHBA-së.”

Pas kësaj përgjigjeje, senatori republikan pati bërë një tjetër pyetje, këtë herë retorike: “A është befasuese që turqit janë të zemëruar me ne për faktin se po armatosim YPG-në, e cila ka një lidhje kaq të ngushtë me PKK-në në Siri?”

Sigurisht që kjo pyetje nuk pati marrë një përgjigje të qartë, por evazive.

Gjatë një daljeje publike menjëherë pas kthimit të tij nga Turqia në janar të këtij viti, senatori Graham e pati vlerësuar vizitën e tij me këto fjalë: “Unë sapo u ktheva nga Turqia. Kjo çështje (armatosja e YPG/PKK-së nga SHBA-ja) është një problem për ta. Ata mendojnë se është ideja më e trashë në botë dhe unë gjithashtu pajtohem me ta. Mirëpo nëse jeni kureshtarë të dini se pse Turqia është zemëruar, shkaku është fakti që ne po armatosim një organizatë terroriste, e cila lufton kundër qeverisë turke.”



Lajme të ngjashme