Juncker: Në rast Brexit-i pa marrëveshje, përgjegjësia bie plotësisht mbi Mbretërinë e Bashkuar

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, paralajmëroi të premten se përgjegjësia e një Brexit-i pa marrëveshje do të rëndojë plotësisht mbi Mbretërinë e Bashkuar.

Juncker: Në rast Brexit-i pa marrëveshje, përgjegjësia bie plotësisht mbi Mbretërinë e Bashkuar

“Ne po punojmë shumë për të arritur një marrëveshje. Sepse dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje do të ishte një fatkeqësi për Mbretërinë e Bashkuar dhe për kontinentin evropian”, tha Juncker në një intervistë me të përditshmen gjermane “Augsburger Allgemeine Zeitung”.

“Nëse kjo (marrëveshja) nuk do të arrihet në fund, përgjegjësia do të rëndojë plotësisht mbi palën britanike”, theksoi ai.

Juncker paralajmëroi gjithashtu se bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme tregtare do të jenë shumë të komplikuara në rastin e një Brexit-i pa marrëveshje dhe negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar ka gjasa të vazhdojnë disa vjet.

“Ne do të donim dhe duhet të përfundojmë një marrëveshje të tregtisë së lirë. Por kjo nuk do të ndodhë krejt papritur siç e imagjinojnë disa në Britaninë e Madhe. Këtë e tregojnë qartë marrëveshjet tregtare të arritura gjatë mandatit tim”, shtoi presidenti i Komisionit Evropian.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka deklaruar vazhdimisht se do ta largojë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja deri më 31 tetor dhe, pavarësisht se është optimist në negociatat për një marrëveshje me Brukselin, ai po bën gjithashtu përgatitje për një Brexit të parregullt.



Lajme të ngjashme