SHBA – Kryebashkiaku Bill de Blasio i Nju-Jorkut tërhiqet nga gara presidenciale

Kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Bill de Blasio, njoftoi mëngjesin e së premtes tërheqjen e tij nga gara mes kandidatëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.

SHBA – Kryebashkiaku Bill de Blasio i Nju-Jorkut tërhiqet nga gara presidenciale

“Ndihem sikur kam kontribuar gjithçka mundem në këto zgjedhje paraprake dhe duket qartë se nuk është koha ime,” tha ai në një intervistë për televizionin “MSNBC”.

“Kështu që do ta mbyll fushatën presidenciale për të vazhduar punën time si kryetar i Bashkisë së Nju-Jorkut, Unë do të vazhdoj të flas për njerëzit që punojnë”, shtoi ai.

De Blasio, 58 vjeç, kishte shpallur kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë në muajin maj.

Sipas ekspertëve amerikanë, kryebashkiaku i Nju-Jorkut u tërhoq nga gara pasi kandidatura e tij nuk mori mbështetje të mjaftueshme.

Në mesin e kandidatëve demokratë në garë për presidencialet e 2020-s në SHBA, politikanët që dalin një hap përpara janë ish-ndihmëspresidenti Joe Biden, senatorja Elizabeth Warren e Masaçusetit, si dhe senatori Bernie Sanders i Vermontit.

Edhe pse emri më i lakuar në radhët e demokratëve mbetet Biden, sondazhet tregojnë se senatorja e Masaçusetit e ka mbyllur diferencën me ish-ndihmëspresidentin.

Biden dhe Warren ndiqen menjëherë nga Sanders, i cili megjithatë është disa pikë mbrapa.

Ndërsa mes republikanëve, deri tani 3 emra kanë njoftuar kandidaturën e tyre si rivalë brendapartiakë të Presidentit Donald Trump.

Republikanët kandidatë janë ish-guvernatori Bill Weld i Masaçusetit, ish-guvernatori Mark Sanford i Karolinës së Jugut dhe ish-kongresisti Joe Walsh nga Ilinoi.

Zgjedhjet 59. presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më datë 3 nëntor 2020.



Lajme të ngjashme