Ambasadori saudit në Londër: Vrasja e Khashoggit, një “njollë” për Mbretërinë

Princi Khalid Bin Bandar al-Saud, ambasador i Arabisë Saudite në Londër, e përshkroi të mërkurën vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi si një “njollë” për Mbretërinë.

Ambasadori saudit në Londër: Vrasja e Khashoggit, një “njollë” për Mbretërinë

“Ajo që ndodhi në Stamboll gati një vit më parë është një njollë për Arabinë Saudite, njollë për kulturën, popullin dhe qeverinë tonë”, deklaroi ai gjatë një interviste ekskluzive të mërkurën për Korporatën Britanike të Transmetimeve (BBC).

“Unë do të doja që e gjithë kjo të mos kishte ndodhur”, komentoi ambasadori saudit në Britaninë e Madhe.

Këto deklarata, të cilat rezultojnë hera e parë që Arabia Saudite e quan vrasjen brutale një “njollë” mbi Mbretërinë, vijnë vetëm dy javë përpara përvjetorit të parë të incidentit.

Khashoggi u vra në 2 tetor 2018 në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, ku kishte hyrë për të kryer procedurat martesore.

Sipas raportit me 101 faqe të publikuar në muajin qershor të këtij viti nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Arabia Saudite është përgjegjëse për vrasjen e qëllimshme dhe të paramenduar të Jamal Khashoggit.

Në këtë raport theksohet se ka prova të besueshme për hetimin e zyrtarëve të lartë duke përfshirë edhe princin trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman.

Gjithashtu në raport tërhiqet vëmendja se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duhet të fillojë një hetim penal plotësues për vrasjen brutale të gazetarit saudit.

Kurse në paragrafin për sanksionet, raporti thotë se masat ndëshkimore duhet përfshijnë po ashtu princin trashëgimtar të fronit saudit dhe pasuritë e tij personale jashtë shtetit.



Lajme të ngjashme