SHBA – Trump: Bisedimet me talibanët janë “të vdekura”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, vlerësoi të hënën si “të vdekura” bisedimet me udhëheqësit e Talibanit duke ritheksuar gjithashtu anulimin e tyre përfundimisht.

SHBA – Trump: Bisedimet me talibanët janë “të vdekura”

“Për sa më takon mua, bisedimet janë të vdekura,” u tha Trumpi gazetarëve teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Karolinën e Veriut.

Negociatat disamujore të SHBA-së me përfaqësuesit talibanë, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Afganistanit, përfunduan të shtunën, kur lideri amerikan njoftoi befas anulimin e bisedimeve sekrete në “Camp David” me talibanët dhe presidentin afgan.

Bisedimet kishin për qëllim të arrihej një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati 20-vjeçare në Afganistan.

Pas vendimit të tij për anulimin e negociatave me Talibanin, presidenti amerikan postoi një sërë mesazhesh në “Twitter”.

“Ne bëjmë detyrën e policisë në Afganistan dhe ky nuk është roli i ushtarëve tanë të shkëlqyer, më të mirët në botë”, shkroi Trump në rrjetin social.

“Gjatë 4 ditëve të fundit ne i kemi goditur armiqtë tanë më fuqishëm se në çdo çast tjetër të 10 viteve të fundit”, shtoi ai.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë reagoi gjithashtu ndaj disa lajmeve, sipas të cilave ai ka “shkelur” ndihmëspresidentin Mike Pence dhe shumë këshilltarë të tij në lidhje me bisedimet e anuluara me përfaqësuesit talibanë, në plan të mbaheshin të dielën.

“Mendoja se takimi dhe bisedimet (me Talibanin) do të ishin një ide e mirë, por vendosa që të mos i bëjmë në këtë situatë”, theksoi ai duke i cilësuar raportimet në fjalë si “lajme të rreme”.

Trumpi potencoi gjithashtu se shtypi po përpiqet të trazojë Shtëpinë e Bardhë me lajme të këtilla.

Ai tha se e kuptoi që bisedimet nuk mund të vazhdonin kur talibanët morën përgjegjësinë për një sulm që vrau një ushtar amerikan në Kabul javën e kaluar.

“Përleshjet kanë vazhduar në rajon gjatë gjithë kohës që bisedohej për t’i dhënë fund luftës”, shtoi presidenti amerikan.

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani është një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të Trumpit.

“Ne do të donim të tërhiqeshim, por do të ikim në kohën e duhur”, precizoi ai mes të tjerash.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë po kërkon rrugët e mundshme për të tërhequr një pjesë të konsiderueshme të 14 mijë trupave të SHBA-së në Afganistan përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.



Lajme të ngjashme