Gjermania kërkon zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, riafirmoi të enjten mbështetjen e vendit të saj për një zgjidhje të negociuar me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

1260845
Gjermania kërkon zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën

“Një zgjidhje politike duhet të arrihet”, u tha Merkel gazetarëve gjatë një konference të përbashkët shtypi me Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas.

“Sipas mendimit tonë, kjo mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje me dy shtete të negociuar midis palëve në konflikt, e cila merr parasysh parametrat e rënë dakord ndërkombëtarisht”, shtoi ajo.

Merkel nënvizoi se arritja e kësaj do të ishte “një proces i gjatë dhe i vështirë”, por do të siguronte një bashkëjetesë në paqe dhe siguri për izraelitët dhe palestinezët.

Shefja e Berlinit zyrtar u zotua gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen e projekteve të zhvillimit ekonomik në territoret palestineze.

“Palestinezët meritojnë një jetesë të mirë në aspektin ekonomik dhe shoqëror. Në këtë kontekst, perspektivat janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik”, shtoi ajo.

Mahmoud Abbas, nga ana e tij, vlerësoi lart Gjermaninë për theksin e saj mbi të drejtën ndërkombëtare dhe mbështetjen që ajo ofron për një zgjidhje politike me dy shtete.

“Ne jemi të gatshëm të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, theksoi ai.

Lideri palestinez kritikoi gjithashtu miratimin nga qeveria izraelite e njësive të reja të banimit në Bregun Perëndimor të pushtuar duke potencuar se ato po dëmtojnë rëndë një zgjidhje të mundshme me dy shtete.

E drejta ndërkombëtare i quan “territore të pushtuara” si Bregun Perëndimor ashtu edhe Jerusalemin Lindor, ndërsa i konsideron “të paligjshme” të gjitha aktivitetet e ndërtimit për kolonët çifutë atje.

Palestinezët i kërkojnë këto territore – së bashku me Rripin e Gazës – për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.



Lajme të ngjashme