Bashkimi Evropian kundërshton rikthimin e Rusisë në G7

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, deklaroi të shtunën se arsyet e përjashtimit të Rusisë nga G7-a në vitin 2014 janë ende të vlefshme.

Bashkimi Evropian kundërshton rikthimin e Rusisë në G7

Në një prononcim për gazetarët para samitit të G7-s, i cili filloi punimet në orët e paradites në qytetin jugperëndimor Biarritz të Francës, Tusk potencoi se samiti është një test i rëndësishëm në aspektin e “solidaritetit dhe bashkimit” në një periudhë kur vazhdojnë luftërat tregtare mes vendeve.

“Luftërat tregtare sjellin recesion ekonomik”, paralajmëroi ai dhe tërhoqi vëmendjen se konfliktet në fjalë do të dëmtojnë gjithashtu mjedisin e besimit.

Duke iu kthyer sërish deklaratave të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të ftuar sërish Rusinë në Samitin e G7-s, Tusk tha se arsyet e përjashtimit të Moskës në vitin 2014 janë ende të vlefshme.

Madje – vijoi ai – tani ka edhe arsye të reja, siç janë provokimet e Rusisë në Azov.

Shefi i KE-së vlerësoi se Rusia “nuk është duke udhëtuar në rrugëtimin e respektimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”.

“Unë do të përpiqem të bind homologët që në vend të Rusisë vitin e ardhshëm të ftohet Ukraina”, shtoi Tusk.

Ai tha mes të tjerash se në kuadër të Samitit të G7-s të dielën do të takohet edhe me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson, duke theksuar se është i hapur për çdo lloj bashkëpunimi dhe shkëmbim mendimesh për largimin nga Unioni (Brexit).

“Largimi pa marrëveshje është i papranueshëm. Largimi pa marrëveshje është e vetmja çështje që s’jemi të hapur për bashkëpunim”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme