Së shpejti Trump mund të shpalosë Marrëveshjen e Shekullit

Gazeta izraelite “Israel Hayom” shkruan se në javët e ardhshme presidenti Trump mund të shpallë pjesën politike të planit për “Marrëveshjen e Shekullit”, e cila synon të zgjidhë çështjen izraelito-palestineze.

Së shpejti Trump mund të shpalosë Marrëveshjen e Shekullit

Sipas lajmit të “Israel Hayom”, të cilin gazeta e mbështet në deklaratat e një zyrtari izraelit që ka kërkuar të mbetet anonim, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump në javët e ardhshme mund të shpalosë pjesën politike të "Marrëveshjes së Shekullit".

Në lajmin e saj gazeta nënvizon se Kryeministri Beniamin Netanjahu do ta kundërshtojë planin e administratës Trump në rast se plani përmban pika që bien në kundërshtim me interesat e Izraelit.

Zyrtari theksoi se e kanë informuar administratën amerikane në lidhje me pikat që janë të natyrës "vijë e kuqe" për Izraelin dhe se nuk do të bëjnë lëshime në këtë drejtim.

Sipas zyrtarit izraelit disa nga çështjet që Tel-Avivi nuk do të bëjë lëshime janë: "mos-evakuimi i kolonëve hebrenj të vendosur në Bregun Perëndimor, mbetja e Jerusalemit (Kuds) nën sovranitetin izraelit dhe mos-kthimi i refugjatëve palestinezë".

Plani "Marrëveshja e Shekullit"

Edhe pse nuk janë bërë të ditur ende detajet rreth "Marrëveshjes së Shekullit”, që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump ka përgatitur për të “zgjidhur” çështjen izraelito-palestineze, në mediat ndërkombëtare komentohet se ky plan nuk do të ofrojë zgjidhje për çështjen palestineze, por do ta thellojë edhe më tej atë.

Siç thuhet, plani përmban pika kundër palestinezëve, siç janë: lënia Izraelit e të gjithë Jerusalemit dhe vazhdimësinë e një pjese të madhe të vendbanimeve ilegale çifute në Bregun Perëndimor.

Thuhet se plani nuk e përmend fare të drejtën e kthimit për rreth 6 milionë refugjatët palestinezë, të cilët Izraeli i ka dëbuar nga tokat e tyre.

Kreu i shtetit palestinez Mahmud Abas e cilëson planin si “shuplakën e shekullit”, ndërsa thotë se përveç disa ndihmave ekonomike marrëveshja në fjalë nuk përfshin asgjë në favor të popullit palestinez.

 


Lajme të ngjashme