Pakistani çon në GjND vendimin e Indisë për Kashmirin

Qeveria e Pakistanit po përgatitet ta çojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND-ICJ) vendimin e Indisë për revokimin e nenit kushtetues që i njihte rajonit të Xhamu Kashmirit një status të veçantë.

1255735
Pakistani çon në GjND vendimin e Indisë për Kashmirin

Islamabadi njoftoi të martën se do ti drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për tërheqjen e Indisë nga autonomia e rajonit të diskutuar Xhamu Kashmir në fillim të këtij muaji - një veprim që ka nxitur më tej tensionet tashmë të ngritura midis dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore.

"Ne kemi vendosur në parim ta çojmë çështjen [revokimin e statusit të veçantë] të Kashmirit në GjND", u tha ministri i Punëve të Jashtme Shah Mahmud Kurejshi gazetarëve në kryeqytetin Islamabad, dhe shtoi: "Ne së shpejti do t'i drejtohemi GjND-së pasi ta kemi rishqyrtuar çështjen nga disa aspekte teknike dhe juridike".

Kurejshi tha se një vendim të tillë e kishin marrë pasi i kishin shqyrtuar të gjitha opsionet ligjore.

"Qëndrimi ynë është i palëkundur, i qartë dhe parimor. Ne nuk do të tërhiqemi nga kjo", shtoi ai.

Zhvillimi i fundit erdhi një ditë pasi Presidenti i ShBA-së, Donald Trump bisedoi në telefon kryeministrin pakistanez Imran Khan dhe kryeministrin indian, Narendra Modi në një përpjekje për të zbutur tensionet spirale mes dy palëve.

Me kërkesë të Islamabadit javën e kaluar Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë të veçantë për të diskutuar situatën e përkeqësuar në luginën e Himalajeve.

Rajoni i Xhamu dhe Kashmir (i administruar nga India) është përballur me një shtrëngim që nga 5 gusht, kur qeveria indiane revokoi nenin 370 të kushtetutës indiane, që i njihte rajonit një status të veçantë. Sipas “Human Rights Watch”, qindra njerëz, kryesisht liderë politikë, janë ndaluar ose arrestuar nga autoritetet që kur Parlamenti Indian ndërmori këtë veprim.

Drejtuesit dhe banorët e Kashmirit kanë frikë se masa është një përpjekje e Indisë për të ndryshuar demografinë e shtetit, ku disa grupe kanë luftuar për sundimin Indian, për pavarësi ose për bashkim me Pakistanin fqinj.

India dhe Pakistani e administrojnë Kashmirin në pjesë të ndryshme dhe e pretendojnë atë plotësisht. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por janë India dhe Pakistani ato që kanë bërë dy luftëra për Kashmirin.

 


Lajme të ngjashme