Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban takim e parë në mbi 50 vjet për të diskutuar Kashmirin

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbajti të premten një seancë me dyer të mbyllura mbi zhvillimet e fundit në rajonin e diskutueshëm të Xhamusë dhe Kashmirit.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban takim e parë në mbi 50 vjet për të diskutuar Kashmirin

Takimi erdhi pasi India revokoi nenin 370 të Kushtetutës së saj duke hequr autonominë e kufizuar të rajonit, e cila ishte garantuar më parë me ligjin indian.

Ky takim u kërkua nga Pakistani 72 orë pas lëvizjes së Indisë, sipas ambasadores së Pakistanit në OKB, Maleeha Lodhi.

“Ajo ishte gjithashtu seanca e parë për Kashmirin në mbi 50 vjet”, theksoi Lodhi duke shtuar se mbledhja u realizua pasi ranë dakord që të gjithë 15 anëtarët e Këshillit.

“Zëri i popullit të Kashmirit, zëri i njerëzve të Kashmirit të okupuar është dëgjuar sot në forumin më të lartë diplomatik të botës”, tha Lodhi pas takimit.

“Ata nuk janë vetëm, janë dëgjuar zërat e tyre. Mjerimi i tyre, vështirësitë e tyre, dhimbja e tyre, vuajtjet e tyre, pushtimi dhe pasojat e këtij pushtimi janë dëgjuar”, shtoi ajo.

Lodhi vuri në pah se Pakistani është gati për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes.

Kurse përfaqësuesi i Indisë në OKB, Syed Akbaruddin, fshikulloi përfshirjen ndërkombëtare në këtë çështje duke thënë se ajo ishte një çështje e brendshme.

“Ne s’kemi nevojë për trupa ndërkombëtare që përpiqen të na tregojnë se si të jetojmë jetën tonë”, u tha ambasadori i Indisë në OKB gazetarëve në selinë e Këshillit të Sigurimit duke shtuar se çdo çështje do të trajtohet në gjykatat indiane.

Lodhi e hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se “mbledhja anulon pretendimin e Nju-Delhit se Xhamuja dhe Kashmiri janë një çështje e brendshme e Indisë”.

“Sot e gjithë bota po diskuton shtetin e okupuar”, nënvizoi ambasadorja e Pakistanit në OKB.

Tensionet në rritje midis Pakistanit dhe Indisë, dy shtete që posedojnë armë bërthamore, janë ndezur më tej pas rrëzimit të statusit të veçantë të luginës piktoreske në Himalaje.

Drejtuesit dhe qytetarët e Kashmirit kanë frikë se ky hap është një përpjekje e Indisë për të ndryshuar demografinë e shtetit me shumicë myslimane, ku disa grupe kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi ose për bashkim me Pakistanin fqinj.

Me gazetarët foli pas seancës edhe ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, i cili tha se vendi i tij “është thellësisht i shqetësuar për situatën aktuale dhe kundërshton çdo veprim të njëanshëm që e ndërlikon situatën”.

“Veprimet e Indisë kanë sfiduar gjithashtu interesat sovrane të Kinës dhe kanë shkelur marrëveshjen bilaterale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në zonën kufitare”, tha Zhang Jun.



Lajme të ngjashme