Izraeli lejon hyrjen në vend të ligjvënëses amerikane, Rashida Tlaib

Ministri i Punëve të Brendshme të Izraelit, Aryeh Deri, lejoi të premten ligjvënësen amerikane, Rashida Tlaib, që të vizitojë familjen e saj në Bregun Perëndimor.

Izraeli lejon hyrjen në vend të ligjvënëses amerikane, Rashida Tlaib

Sipas një komunikate të shkruar nga Zyra për Shtyp e Ministrisë së Brendshme izraelite, Aryeh Deri ka miratuar kërkesën e anëtares myslimane të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rashida Tlaib, për të vizituar familjen e saj.

“Tlaib i dërgoi ministrit Deri të enjten mbrëma një mesazh «me angazhimin e saj për të realizuar vizitën familjare konform rregullave izraelite në fuqi» dhe pas kësaj ligjvënëses amerikane iu lejua që të vizitojë vendin vetëm për qëllime humanitare”, theksohet në deklaratën e MPB-së izraelite.

Në këtë mesazh, Rashida Tlaib theksonte se dëshironte të vizitonte familjen e saj dhe veçanërisht gjyshen 90-vjeçare, pasi ky mund të ishte shansi i fundit për ta takuar atë, duke premtuar se do të respektonte rregullat e Izraelit dhe se gjatë vizitës në fjalë nuk do të bënte asnjë lloj propagande për bojkotimin e shtetit hebre.

Izraeli ndaloi të enjten dy ligjvënëset myslimane amerikane, Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib, që të hynin në vend duke i dhënë shkas një raundi të ri polemikash në debatin mbi mbështetjen e SHBA-së për aleatin e tyre në Lindjen e Mesme.

Anëtaret demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Omar dhe Tlaib, janë kritike të zëshme të Izraelit dhe të trajtimit prej tij të palestinezëve. Agjenda e tyre parashikon vizita në Izrael dhe në disa qytete të Bregut Perëndimor gjatë ditëve të ardhshme.



Lajme të ngjashme