Johnson&Bolton bisedojnë për Iranin dhe Hongkongun

Kryeministri i Anglisë, Boris Johnson dhe Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton kanë biseduar për një sërë çështjesh, mes tyre edhe për Iranin e Hongkongun.

Johnson&Bolton bisedojnë për Iranin dhe Hongkongun

Sipas komunikatës së lëshuar nga “Nr.10”, selia e Kryeministrisë britanike, të hënën kryeministri Johnson ka marrë pjesë në një mbledhje mbajtur në Londër me pjesëmarrjen e zyrtarëve anglezë dhe Këshilltarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.

Disa nga çështjet që janë trajtuar në këtë mbledhje ishin tensioni me Irani në Gjirin e Hormuzit, zhvillimet në Hongkong dhe infrastruktura 5G e Anglisë.

Gjithashtu u diskutua edhe për formën që do të marrin marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve pas largimit të Anglisë nga Bashkim Evropian (Brexit) dhe vendosmëria e Anglisë për të lidhur një marrëveshje të gjithanshme me ShBA-në për liberalizimin e tregtisë.

Ndërkaq raportohet se të hënën kryeministri Johnson ka pasur një bisedë telefonike edhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump.

Kurse Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton kishte thënë nga ana e tij se pas largimit të Anglisë nga Bashkimi Evropian (Brexit), ky vend (Anglia) do të kishte prioritet në mesin e vendeve që duan të lidhin marrëveshje tregtare me ShBA-në.  

Sipas rrjetit britanik “BBC” gjatë kontakteve të tij në Londër, këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton kishte thënë se ShBA-ja mbështet daljen pa marrëveshje të Anglisë nga Bashkimi Evropian (BE).

Pas largimit të Anglisë nga BE-ja mund të fillojnë bisedimet me ShBA-në për marrëveshjen tregtare me bazë sektoriale (duke përfshirë një sërë sektorësh),- nënvizoi Bolton dhe shtoi: “Nëse do të isha shprehur më qartë, radha e Britanisë për tregti në administratën Trump qëndron përherë para të tjerëve. Ne duam që të veprojmë shumë shpejt. Dëshira jonë ka qenë për një progres më të shpejt edhe me qeverinë e mëparshme”.

Ndërsa gazeta “Financial Times” citoi edhe vlerësimet e Boltonit lidhur me mundësinë e angazhimit të firmës kineze “Huawei” në infrastrukturën 5G të Anglisë.

“Zyrtarët anglezë mua më thanë se me çështjen “Huawei” po kujdesen që nga faza e parë e saj. Ata janë të shqetësuar se nuk duhet të ketë lëshime për sa i takon sigurisë në teknologjitë 5G. Mua më thanë gjithashtu se duan që ta vlerësojnë sërish këtë çështje dhe të jenë të bindur për vendimin që do të marrin”.

  • Tensioni me Iranin

Administrata Autonome e Gjibraltarit, e varur nga Anglia, më 4 korrik kishte konfiskuar një anije cisternë iraniane për shkelje të embargos (ndërkombëtare) ndaj Sirisë.

Kurse zyrtarët iranianë kishin deklaruar se do të kundërpërgjigjeshin në qoftë se britanikët nuk do të lironin cisternën me emrin “Grace-1”.

Gjykata e Lartë e Gjibraltarit e kishte zgjatur deri më 15 gusht masën e sigurisë që ishte vendosur për anijen iraniane.

Ushtria e Gardës Revolucionare të Iranit njoftoi më vonë se më 19 korrik kishte konfiskuar anijen cisternë me emrin “Steno Imperio”, e cila ishte duke kaluar në Ngushticën e Hormuzit me flamur anglez, për arsye se kishte shkelur rregullat ndërkombëtare të lundrimit.

Pas këtij zhvillimi Anglia kishte dërguar edhe një anije tjetër luftarake në Gjirin e Hormuzit dhe kishte marrë vendim për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të ofruar siguri detare për anijet tregtare që do ta përdornin ngushticën.

  • Kriza 5G

Marrëdhëniet mes Anglisë dhe ShBA-së ishin ftohur pas pasqyrimit në media të planeve të Londrës për ti dhënë rol firmës kineze “Huawei” në ndërtimin e infrastrukturës 5G.

Kryeministrja e Anglisë në atë kohë, Theresa May kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Gavin Wialliamson, për rrjedhje të informacionit në lidhje me këtë çështje në media.

Me bërjen e Johnsonit Kryeministër i ri i vendit, Williamson ishte bërë sërish pjesë e kabinetit dhe ishte caktuar në krye të Ministrisë së Arsimit.

 


Lajme të ngjashme