Maas: I kërkojmë ndjesë kombit polak; më vjen turp për atë që Gjermania i bëri Polonisë

Gjermania i kërkoi falje Polonisë të enjten për krimet naziste të kryera gjatë Luftës II Botërore.

Maas: I kërkojmë ndjesë kombit polak; më vjen turp për atë që Gjermania i bëri Polonisë

“Gjermania është përgjegjëse për këtë mizori, rrënimi i Varshavës ishte një goditje e ndërgjegjshme për shkatërrimin e gjithçkaje që i atribuohej identitetit polak”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, me rastin e 75-vjetorit të Revoltës së Varshavës kundër pushtimit nazist.

“I kërkojmë ndjesë kombit polak. Më vjen turp për atë që Gjermania i bëri Polonisë”, shtoi ai.

“Kam ardhur këtu sepse unë nderoj viktimat dhe familjet e viktimave dhe të të plagosurve, sepse dua t’i kërkoj falje popullit polak”, tha Maas.

Ai theksoi se Gjermania mban përgjegjësi për këtë tmerr.

“Pas luftës, polakët na ofruan dorën e pajtimit. Ne ju falim dhe duam të na kërkoni ndjesë”, u shpreh Maas duke iu referuar një letre të vitit 1965 të peshkopëve polakë drejtuar homologëve të tyre gjermanë.

Duke folur gjatë një konference të përbashkët për media me homologun e tij polak, Jacek Czaputowicz, në Muzeun e Revoltës së Varshavës, shefi i diplomacisë gjermane shprehu edhe mbështetjen e tij për ndërtimin e një memoriali në Berlin për të nderuar viktimat polake.

Edhe pse Maas përjashtoi mundësinë për kompensim financiar, ministri i Jashtëm i Polonisë tha se një grup parlamentar po vlerëson koston e dëmeve të qytetarëve polakë gjatë luftës.

“Vlerësimi parlamentar do të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme”, shtoi ai.

Në përpjekje për të çliruar qytetin, luftëtarët polakë organizuan revoltë kundër pushtimit nazist më 1 gusht të vitit 1944.

Rreth 18 mijë luftëtarë dhe 200 mijë civilë u vranë nga forcat naziste gjatë një lufte 63-ditore në Varshavë. Qindra-mijëra të tjerë u internuan në kampet e përqendrimit.

Sipas një vlerësimi, 6 milionë qytetarë polakë kanë humbur jetën gjatë Luftës II Botërore.



Lajme të ngjashme