Zarif: Irani do të bëjë hapin e tretë nëse BE-ja s’përmbush angazhimet

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, deklaroi të mërkurën se vendi i tij do të bëjë hapin e tretë për të reduktuar angazhimet e tij në marrëveshjen bërthamore në rast se shtetet anëtare të BE-së nuk i mbajnë premtimet e tyre.

Zarif: Irani do të bëjë hapin e tretë nëse BE-ja s’përmbush angazhimet

Javad Zarif doli para kamerave pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Teheran dhe u prononcuan veçanërisht mbi marrëveshjen bërthamore, njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Ai tha se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk po u përmbahen as angazhimeve të tyre në marrëveshjen bërthamore dhe as atyre pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa Instrumenti për Mbështetjen e Shkëmbimeve Tregtare (INSTEX), një mekanizëm i posaçëm që u themelua në janar 2019 nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar për të anashkaluar sanksionet amerikane kundër Iranit dhe mundësuar tregtinë me këtë shtet, nuk është funksionalizuar ende plotësisht.

“Në rast se INSTEX-i bëhet operativ, paratë e naftës duhet të jenë në gjendje të arkëtohen patjetër. INSTEX-i s’duhet të transformohet në një mekanizëm me të cilin zbatohen udhëzimet e SHBA-së. Është e qartë se INSTEX-i nuk mund të funksionojë me miratimin amerikan. Shtetet anëtare të BE-së duhet të kenë guximin për të vepruar sipas angazhimeve të tyre dhe jo sipas interesave të SHBA-së”, vlerësoi shefi i diplomacisë iraniane.

Sipas tij, hapat e ndërmarra nga BE-ja nuk i përmbushin të pritmet.

“Në kushtet aktuale, për sa kohë që BE-ja nuk i mban premtimet e saj, Irani do të bëjë hapin e tretë drejt zvogëlimit të angazhimeve të tij në marrëveshjen bërthamore. Shitja e naftës iraniane dhe kthimi i parave janë ndër premtimet që i janë bërë Iranit”, u shpreh Zarif duke tërhequr vëmendjen se në shënjestër të sanksioneve amerikane është populli iranian.

“Ata që braktisën tavolinën e bisedimeve, duhet të zbatojë angazhimet e tyre. Kurse ata që pretendojnë ende të jenë në tavolinën e bisedimeve, duhet t’u përmbahen premtimeve të tyre për të mundësuar ecurinë e punës dhe parandalimin e tensionit”, shtoi ai.

Hapi i tretë i Iranit drejt zvogëlimit të angazhimeve të tij në marrëveshjen bërthamore konsiderohet të jetë pasurimi i uraniumit deri në nivelin 20 për qind.



Lajme të ngjashme