Sudan – Komisioni hetues: Në shpërndarjen e protestës së ulur të 3 qershorit janë vrarë 87 persona

Një komision hetues në Sudan deklaroi të shtunën se gjithsej 87 persona janë vrarë më datë 3 qershor në shpërndarjen e një proteste të ulur pranë selisë së ushtrisë në Hartum.

Sudan – Komisioni hetues: Në shpërndarjen e protestës së ulur të 3 qershorit janë vrarë 87 persona

Gjatë një konference shtypi në kryeqytetin sudanez, Fath al-Rahman Saeed, kreu i komisionit në fjalë, tha se Këshilli Ushtarak i Përkohshëm (TMC) në pushtet nuk ka urdhëruar shpërndarjen e kampit të protestës.

“Komiteti i Sigurisë së TMC-së ka dhënë urdhër vetëm për të shpërndarë aktivitetet e jashtëligjshme dhe për të pastruar zonën nga personat keqbërës, por kurrë s’ka urdhëruar shpërndarjen e protestës në vetvete”, theksoi ai.

Megjithatë Saeed shtoi se 9 oficerë të lartë, përfshi këtu edhe 2 gjeneralmajorë nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), kanë shkelur urdhrat.

“Një forcë e drejtuar nga një gjeneralmajor i RSF-së ka sulmuar civilët me gaz lotsjellës dhe municion të vërtetë, gjë që ka shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e protestuesve. Persona të maskuar kanë hapur zjarr ndaj protestuesve në shesh gjithashtu”, sqaroi kreu i komisionit hetues.

Saeed argumentoi edhe se trupat e pajetë të gjetur në lumin Nil s’kanë asnjë lidhje me këtë ngjarje.

Protesta e ulur jashtë selisë së ushtrisë ishte një pikë qendrore për protestat që kërkonin dorëzimin e pushtetit nga TMC-ja në një administratë civile.

Teksa opozita pretendonte se 127 veta janë vranë dhe 400 të tjerë janë plagosur në shpërndarjen e protestës së ulur, Ministria e Shëndetësisë pati deklaruar se numri i të vdekurve ishte 61.

“Ne hedhim poshtë rezultatet e komisionit hetues të formuar plotësisht nga Prokuroria e Përgjithshme. Raporti fsheh disa të vërteta”, deklaroi po të shtunën koalicioni civil opozitar i quajtur Forcat për Liri dhe Ndryshim (FFC).

Raporti i komisionit hetues sudanez u protestua në disa lagje të kryeqytetit Hartum.

Sudani është përfshirë nga një sërë trazirash që nga 11 prilli i këtij viti, kur struktura ushtarake rrëzoi Presidentin Omar al-Bashir pas muajsh protestash popullore kundër sundimit të tij 30-vjeçar.



Lajme të ngjashme