Irani përgatitet të riaktivizojë Reaktorin e Ujit të Rëndë në Arak

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI), Ali Akbar Salehi, bëri me dije të dielën se vazhdon puna për ristrukturimin e Reaktorit Bërthamor të Ujit të Rëndë në Arak dhe se impianti do të rifillojë aktivitetin.

Irani përgatitet të riaktivizojë Reaktorin e Ujit të Rëndë në Arak

Zëdhënësi i Fraksionit të Pavarur në Parlamentin e Iranit, Mehrdad Lahouti, theksoi gjatë një prononcimi për Agjencinë Studentore Iraniane të Lajmeve (ISNA) se presidenti i AEOI-së ka informuar deputetët mbi gjendjen e programit bërthamor të vendit.

“Duke folur para deputetëve në Parlament, Ali Akbar Salehi tha se vazhdon procesi i ristrukturimit të Reaktorit të Ujit të Rëndë në Arak dhe se ky impiant do të jetë funksional përsëri”, u shpreh Lahouti për ISNA-n duke shtuar se ky reaktor do të rifillojë aktivitetin pasi t’i nënshtrohet ndryshimit të teknologjisë.

“Armiqtë e Iranit e dinë që ne kemi njohuri dhe aftësi për të prodhuar energji bërthamore, por nuk duam të prodhojmë armë bërthamore”, ka nënvizuar Salehi, sipas zëdhënësit të Fraksionit të Pavarur iranian.

Ai gjithashtu citoi Salehin të ketë thënë se vendimi i Teheranit për të reduktuar angazhimet e tij ndaj marrëveshjes bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), do të zbatohet hap pas hapi si kundërpërgjigje për sanksionet amerikane dhe mungesën e veprimeve nga evropianët për të shpëtuar akordin.

Gjatë negociatave bërthamore, vendet perëndimore shprehën shqetësimin e tyre për Reaktorin e Ujit të Rëndë në Arak duke i kërkuar Iranit që të mbyllë impiantin në fjalë dhe të ndërtojë një reaktor tjetër për të prodhuar një sasi plutoniumi shumë më të vogël.



Lajme të ngjashme