​​​​​​​Britani e Madhe – Hammond: Jap dorëheqjen nëse Boris Johnson zgjidhet kryeministër

Ministri britanik i Financave, Philip Hammond, i cili ka dalë hapur kundër idesë së një Brexit-i pa marrëveshje, njoftoi të dielën se do të jepte dorëheqjen nëse Boris Johnson zgjidhej kryeministër.

​​​​​​​Britani e Madhe – Hammond: Jap dorëheqjen nëse Boris Johnson zgjidhet kryeministër

“Nëse Boris Johnson emërohet kryeministri i ardhshëm, unë e kuptoj se kushtet e tij për të shërbyer në qeveri do të përfshinin pranimin e një dalje pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, dhe kjo është diçka që unë nuk mund të bie kurrë dakord”, u shpreh Hammnod në një intervistë të dhënë për Korporatën Britanike të Transmetimeve (BBC).

Dorëheqjen për të njëjtën arsye e ka paralajmëruar në një artikull për gazetën “Sundey Times” edhe ministri i Drejtësisë, David Gauke.

Që të dy këta emra ka thënë se do të japin dorëheqjen të mërkurën, pikërisht në ditën që pritet të realizohet dorëzimi dhe marrja e detyrës së kryeministrit.

Nëse Johnson bëhet kryeministër i Britanisë së Madhe, dorëheqje pritet të japin e edhe disa ministra të tjerë, mes të cilëve spikat kundërshtari i tij në garën për lidershipin e Partisë Konservatore dhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt. Emra të tjerë që ka shumë gjasa të lënë postin janë ministri për Evropën dhe Amerikën, Alan Duncan dhe ministri i Shtetit për Veteranët, Tobias Elwood.

Më 23 qershor 2016, Britania vendosi në favor të Brexit-it si rezultat i një referendumi që përfundoi me 48 për qind vota kundër dhe 52 për qind vota pro. Por, pas refuzimit 3 herë në Dhomën e Komuneve të marrëveshjes së arritur nga Kryeministrja Theresa May me BE-në, implementimi zyrtar i Brexit-it u shty për në datën 31 tetor, nga 29 mars që ishte vendosur më herët.

Më 7 qershor të këtij viti, May u detyrua të japë dorëheqjen nga lidershipi i Partisë Konservatore si pasojë e presioneve brenda forcën politike në fjalë.

Johnson dhe Hunt, dy finalistët e garës për të marrë drejtimin e konservatorëve, hynë në zgjedhje brendapartiake, ku anëtarët e forcës politike në pushtet votojnë me anë të postës. Rezultati i votimit që vijon prej gati 1 muaji, do të shpallet më 23 korrik.

Më 24 korrik, lideri i ri i Partisë Konservatore do të marrë në dorëzim postin e kryeministrit nga Theresa May.

Boris Johnson, i cili shikohet si pretenduesi kryesor i garës në fjalë, pati dhënë dorëheqjen më parë nga posti i ministrit të Jashtëm të kabinetit May për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me politikën e Brexit-it. Ai premton daljen e Britanisë nga BE-ja më datë 31 tetor, me ose pa marrëveshje.

Kurse rivali i tij, Jeremy Hunt, sinjalizon se mund të dëgjojë zërin e Parlamentit.

Organi ligjvënës britanik pati penguar një Brexit pa marrëveshje më 29 maj falë një ligji të miratuar në çastet e fundit të afatit.



Lajme të ngjashme