Publikohet identiteti i njërit prej autorëve të sulmit në Erbil

Drejtoria e Policisë së Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut (KRG) publikoi identitetin e njërit prej autorëve të sulmit, ku u martirizua një diplomat turk.

Publikohet identiteti i njërit prej autorëve të sulmit në Erbil

U publikua identiteti i njërit prej autorëve të sulmit të ndërmarrë të mërkurën në një restorant në Erbil.

Në komunikatën me shkrim të lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut (KRG) u publikua identiteti i njërit prej autorëve të sulmit, ku u martirizua një diplomat i Konsullatës së Përgjithshme Turke në Erbil dhe u vranë 2 qytetarë irakianë.

Bëhet e ditur se një nga autorët e sulmit ishte Mazlum Daë (Dağ), i lindur në vitin 1992 në Dijarbakër (Diyarbakır) të Turqisë.

Drejtoria e Policisë gjithashtu ka shpërndarë një fotografi të sulmuesit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve, të cilët kanë informacion rreth personit në fjalë, të raportojnë tek forcat e sigurisë.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se forcat e sigurisë po vazhdojnë me hetime për gjetjen dhe kapjen e aktorëve të tjerë të këtij sulmi.

Në anën tjetër mësohet se njëri prej 13 vëllezërve të autorit të sulmit Mazlum Daë është Dersim Daë deputeti i Dijarbakërit nga radhët e Partisë Demokratike të Popujve (HDP), ndërsa vëllezërit e tjerë Ibrahim Daë me pseudonimin “Rebelim” (Isyan) dhe Lytfi Daë (Lütfi Dağ) me pseudonimin “Numan” janë anëtarë të organizatës separatiste terroriste PKK.

Bëhet e ditur se Mazlum Daë, njëri prej autorëve të sulmit në Erbil, në shkurt të vitit 2015 ka dalë nga vendkalimi kufitar në Habur dhe iu bashkëngjit organizatës terroriste PKK.   

 


Lajme të ngjashme