Stoltenberg: Roli i Turqisë në NATO është shumë më i gjerë se F-35 apo S-400

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vlerësoi të mërkurën rolin e Turqisë në Aleancë, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan zyrtarisht procesin për ta përjashtuar atë nga programi F-35.

Stoltenberg: Roli i Turqisë në NATO është shumë më i gjerë se F-35 apo S-400

Duke folur në forumin vjetor të sigurisë së Institutit “Aspen” në Kolorado të SHBA-së, Jens Stoltenberg u shpreh i shqetësuar lidhur me përjashtimin e Turqisë.

“Unë jam i shqetësuar për pasojat e vendimit në lidhje me turqit, sepse kjo do të thotë se Turqia nuk do të jetë pjesë e programit F-35”, deklaroi ai.

“Nuk është diçka e mirë, por e keqe për të gjithë ne”, theksoi ai.

SHBA-ja njoftoi se po e largon Turqinë nga programi i avionit luftarak F-35, një hap që pason kërcënimet për ta bërë këtë si masë kundër blerjes nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Ankaraja i bëri thirrje Uashingtonit që të korrigjojë vendimin e tij, për të cilin ajo tha se do të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Kontributi i Turqisë në NATO shkon shumë më thellë dhe është shumë më i gjerë sesa (programi) F-35. Kjo është e rëndësishme”, sqaroi Stoltenberg duke shtuar se koalicioni ndërkombëtar në Siri mund të ketë mposhtur DAESH-in pikërisht “falë kontributit të Turqisë”.

“Ne përdorëm bazat, infrastrukturën e saj dhe Turqia luajti një rol kyç në atë luftë”, u shpreh ai.

Shefi i NATO-s tërhoqi vëmendjen se ushtarët turq po kontribuojnë në shumë misione dhe operacione të ndryshme të Aleancës duke cituar veçanërisht Ballkanin, Kosovën dhe Afganistanin.

Ai tha gjithashtu se asnjë anëtar tjetër i NATO-s nuk ka ngritur në rend të ditës përjashtimin e Turqisë nga programi F-35.

Sepse – vijoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës – ne të gjithë e shohim që jemi të varur nga njëri-tjetri.

“Çdo shtet vendos vetë se çfarë sistemesh mbrojtëse do të marrë. Por e rëndësishme për NATO-n është që ato të mund të integrohen”, shtoi ai.

Stoltenberg përsëriti se sistemi S-400 nuk mund të bëhej pjesë e mbrojtjes së përbashkët raketore të NATO-s, por edhe se Turqia ka avionë e radarë që do të mbeteshin pjesë e sistemit.

“S-400, nuk është e mundur të përshtatet me sistemin e integruar të mbrojtjes ajrore dhe të raketave të NATO-s, që ka të bëjë me ndarjen e fotografive të radarëve, me patrullimin e përbashkët ajror, me aftësitë që ndajmë së bashku. Realisht as Turqia nuk e ka kërkuar atë. Përgjegjësia ime është pjesërisht të përpiqem të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes. Por, për sa kohë që çështja nuk zgjidhet, duhet të minimizojmë pasojat negative”, tha Stoltenberg.

“Si një aleate e NATO-s, roli i Turqisë është shumë më i gjerë se F-35 ose S-400. Turqia ishte një pjesë e integruar e sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s dhe ashtu do të vazhdojë të jetë”, shtoi kreu i Aleancës.

Duke rikujtuar se Turqia po vazhdon bisedimet për të blerë sistemet Patriot të SHBA-së ose raketat Eurosam të partneritet italo-francez, Stoltenberg theksoi se këto kontakte janë shumë të rëndësishme.

Pas përpjekjeve të zgjatura për të blerë një sistem të mbrojtjes ajrore nga SHBA-ja, të cilat rezultuan pa sukses, Ankaraja nënshkroi në vitin 2017 një kontratë për të blerë raketa S-400 nga Rusia.



Lajme të ngjashme