Ursula von der Leyen zgjidhet presidente e Komisionit Evropian

Parlamenti Evropian miratoi të martën në mbrëmje emërimin e ministres gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, në postin e presidentes së Komisionit Evropian.

1236997
Ursula von der Leyen zgjidhet presidente e Komisionit Evropian

Emërimi i saj u miratua me 383 vota pro, 327 kundër dhe 22 abstenime, gjatë një seance plenare të PE-së në qytetin Strasburg të Francës.

Politikania konservatore 61-vjeçare u propozua nga liderët e BE-së në fillim të këtij muaji, pas negociatave të zgjatura në Bruksel. Ajo është tashmë gruaja e parë që drejton krahun ekzekutiv të Unionit.

Lindur në kryeqytetin Bruksel të Belgjikë, Von der Leyen u transferua në Hanover të Gjermanisë kur ishte 13 vjeçe.

Ajo e nisi karrierën politike në vitin 2001, në moshën 43-vjeçare, me një detyrë zyrtare në rajonin e Hanoverit, si anëtare e Unionit Demokristian të Kancelares Angela Merkel që nga viti 1990. Dy vite më pas ajo u zgjodh deputete dhe u ngarkua me postin e ministres së Punëve Sociale. Në 2005-n drejtoi Ministrinë e Familjes dhe 4 vite më pas kaloi tek Ministria e Punës dhe Punëve Sociale, para se të bëhej në 2013-n gruaja e parë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë.

Von der Leyen është ministrja e vetme që ka qenë e pranishme në të gjitha kabinetet e Kancelares Merkel nga viti 2005 deri në 2019-n. Ajo ka ide të qarta për BE-në. Mbështet zgjerimin, politikat në favor të mjedisit dhe emigracionit, por edhe sigurinë. Gjithashtu kundërshton largimin pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga BE-ja, pasi e konsideron atë si skenarin më të keq të mundshëm.

Mbrojtëse e flaktë e idesë për krijimin e ushtrisë evropiane, Der Leyen është nën hetim për shkak të punësimit në zyrën e saj të këshilltarëve që s’janë personel i Ministrisë së Mbrojtjes.

E diplomuar nga Fakulteti i Mjekësisë së Hanoverit, ajo është nënë e 7 fëmijëve dhe njohëse e mirë e frëngjishtes e anglishtes.

Presidenca e Komisionit Evropian, e cila starton procesin legjislativ brenda strukturës së BE-së dhe si organ ekzekutiv i saj zbaton legjislacionin, administron buxhetin dhe programet e tjera të Unionit, gjithashtu ka përgjegjësinë e inspektimit të administratës dhe është një nga postet drejtuese kryesore të bllokut 28-anëtarësh.

Krahas komisarëve, nga një për çdo shtet anëtar, Komisioni formohet nga një organizim administrativ prej gati 25 mijë zyrtarësh të BE-së.

Mandati i luksemburgasit Jean-Claude Juncker, president aktual i Komisionit Evropian, përfundon më datë 31 tetor dhe Ursula von der Leyen pritet ta zëvendësojë atë më 1 nëntor.

Ndërkaq, menjëherë pas miratimit të emërimit të Von der Leyen në krye të Komisionit, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, e përgëzoi atë me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”.

“Urime për Ursula von der Leyen që u zgjodh presidente e Komisionit të BE-së. Presim që këto zgjedhje të kenë ndikim pozitiv në marrëdhëniet Turqi-BE”, shkroi Cavusoglu.



Lajme të ngjashme