Presidenca turkoqipriote reagon kundër vendimeve të BE-së për të sanksionuar Turqinë

“Vendimet e BE-së për të sanksionuar Turqinë lidhur me aktivitetet e saj të kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor nuk do të reduktojnë tensionin në Mesdheun Lindor”, tha të zëdhënësi i Presidencës turkoqipriote, Baris Burcu.

Presidenca turkoqipriote reagon kundër vendimeve të BE-së për të sanksionuar Turqinë

Zëdhënësi i Presidencës së Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Baris Burcu, deklaroi të martën se vendimet e Bashkimit Evropian për të sanksionuar Turqinë lidhur me aktivitetet e saj të kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, jo vetëm që nuk do të reduktojnë tensionin në Mesdheun Lindor, por nuk do të kontribuojnë kurrsesi as në përpjekjet për një zgjidhje në Qipro.

Ai lëshoi një komunikatë me shkrim për konkluzionet e miratuara nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së gjatë një takimi të kryediplomatëve të shteteve anëtare, mbajtur të hënën në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, të cilat parashikojnë aplikimin e sanksioneve kundër Turqisë për shkak të aktiviteteve që ajo po realizon së bashku me RTQV-në në Mesdheun Lindor për kërkimin e hidrokarbureve.

“Me vazhdimin e aktiviteteve të njëanshme të hidrokarbureve pavarësisht të gjitha paralajmërimeve tona këmbëngulëse, Administrata Greke e Qipros së Jugut (AGQJ) nuk i ka lënë palës turkoqipriote dhe Turqisë zgjedhje tjetër përveçse të bëjnë të njëjtën gjë.

Siç dihet, për të ndryshuar klimën e tendosur dhe ulur tensionin që është krijuar prej tyre në këtë mënyrë, Presidenti ynë, z. Mustafa Akinci, i ka paraqitur në detaje z. Anastasiades një propozim për të ngritur një komitet të përbashkët për të trajtuar së bashku aktivitetet e hidrokarbureve. Ky propozim i presidentit tonë është një sugjerim që do të lehtësojë si Ishullin dhe hapësirën gjeografike përreth nesh ashtu edhe BE-në, e cila po kërkon alternativa në aspektin e larmisë dhe sigurisë së energjisë.

Teksa propozimet tona janë ende të hapura për vlerësimin e palës tjetër, ne prisnim që BE-ja t’i këshillonte Administrata Greke të Qipros së Jugut që t’i merrte seriozisht dhe t’i vlerësonte këto propozime. Fakti që BE-ja nuk e bëri këtë gjë, por katërçipërisht të kundërtën duke marrë disa vendime për sanksione kundër Turqisë, është një situatë që nuk kontribuon në zgjidhjen e problemit, e padrejtë dhe e papranueshme.

Ky qëndrim i BE-së jo vetëm që nuk e ul tensionin në Mesdheun Lindor, por nuk kontribuon kurrsesi as në përpjekjet për një zgjidhje në Qipro. Mënyra për të reduktuar tensionin dhe për të shkoklavitur nyjat në rajonin tonë nuk është ndëshkimi, por një bashkëpunim i drejtë që bazohet në dialog”, thuhet në komunikatën e shkruar të zëdhënësit presidencial turkoqipriot, Baris Burcu.



Lajme të ngjashme