SHBA-ja pajis me vizë ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif

Departamenti amerikan i Shtetit miratoi të hënën pajisjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, me vizë për të marrë pjesë këtë javë në një mbledhje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

SHBA-ja pajis me vizë ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif

Sipas organeve mediatike amerikane, të cilat citojnë disa zyrtarë të Uashingtonit, viza në fjalë është miratuar personalisht nga sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

“Viza është miratuar për të shmangur mundësinë e përkeqësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në rast të refuzimit të aplikimit të Zarifit”, thekson media amerikane.

Në fund të muajit qershor, me justifikimin se Irani kishte rrëzuar një mjet ajror pa pilot të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Donald Trump pati nënshkruar një dekret që vendoste sanksione të reja kundër Teheranit, duke përfshirë në to edhe liderin suprem të vendit, Ali Khamenei.

Të njëjtën ditë, sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, pati njoftuar se në listën e sanksioneve do të përfshihej edhe ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, por një hap i tillë nuk është ndërmarrë ende sot e kësaj dite nga administrata e Uashingtonit.



Lajme të ngjashme