Tusk-Putin polemizojnë mbi “liberalizmin” përpara fillimit të Samitit të G20-s

Samiti i Liderëve të G20-s, i cili po zhvillohet në qytetin Osakë të Japonisë, filloi me një polemikë mbi “liberalizmin”.

Tusk-Putin polemizojnë mbi “liberalizmin” përpara fillimit të Samitit të G20-s

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë një interviste me gazetën britanike “Financial Times” përpara fillimit të Samitit, kritikoi komentet e Kryetarit të Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, lidhur me atë se “liberalizmi është i pavlefshëm”.

Tusk nënvizoi se evropianët duhet të mbështesin dhe inkurajojnë deri në fund demokracinë liberale.

“Kushdo që pretendon se liberalizmi është i pavlefshëm, ai thotë në vërtetë se të pavlefshme janë liritë, sundimi i së drejtës dhe të drejtat e njeriut”, u shpreh ai.

Sipas tij, opinioni i Putinit se liberalizmi është i pavlefshëm nuk ka kurrfarë kuptimi.

“Mendimi im është se të pavlefshëm janë autoritarizmi, kultet individuale dhe qeverisja oligarkike. Edhe pse këto mund të duken si të efektshme ndonjëherë, ne evropianët jemi këtu për të mbështetur dhe inkurajuar demokracinë liberale deri në fund me vendosmëri”, nënvizoi Tusk.

Gjatë një interviste gjithashtu me “Financial Times”, Putini qe shprehur se “ideja e liberalizmit tani është e pavlefshme, pasi bie në konflikt me interesin e shumicës dërrmuese të popullsisë”.

Që të dy liderët janë pjesëmarrës të Samitit e G20-s në Osakë të Japonisë.



Lajme të ngjashme