Stoltenberg: NATO-ja do të përgjigjet nëse Rusia s’përmbush detyrimet e INF-së

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi të mërkurën se Aleancës do t’i duhet të përgjigjet në rast se Rusia nuk përmbush detyrimet e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).

Stoltenberg: NATO-ja do të përgjigjet nëse Rusia s’përmbush detyrimet e INF-së

Gjatë një prononcimi për mediat përpara Takimit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, Stoltenberg bëri me dije se agjenda e ministrave përbëhet nga çështje të shumta lidhur me sigurinë.

Ai tërhoqi vëmendjen se ministrat do të diskutojnë së pari shkeljet e INF-së nga Rusia dhe kundërmasat që do të marrë NATO-ja.

“Rusia ka afat deri më 2 gusht për të shpëtuar Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë për të përmbushur detyrimet e INF-së. Por nëse kjo nuk realizohet, NATO-s do t’i duhet të përgjigjet”, vlerësoi Stoltenberg.

Kreu i NATO-s vuri në pah se shkeljet e INF-së nga Rusia janë një çështje shumë serioze.

“Afati po skadon”, shtoi ai duke theksuar Aleanca do të diskutojë masat e mundshme dhe do të fillojë zbatimin e tyre menjëherë pas datës 2 gusht.

Turqia në këtë ministerial të rëndësishëm dyditor të NATO-s përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, i cili do të marrë pjesë në sesione të ndryshme që do të organizohen në kuadër të Takimit, si dhe do të realizojë bisedime dypalëshe.

Shpenzimet ushtarake, INF-ja, Afganistani, politika hapësinore e Aleancës dhe zhvillimet teknologjike të avancuara janë ndër pikat kryesore të agjendës së Takimit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s.



Lajme të ngjashme