Konferenca e Bahrejnit - Kushner paraqiti “planin më të mirë ekonomik” për Palestinën

Jared Kushner, dhëndëri i presidentit amerikan Donald Trump dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë tha në hapje të Konferencës së Bahrejnit se ata kanë përgatitur planin ekonomik më të mirë të deritanishëm për Palestinën dhe Lindje e Mesme.

Jared Kushner bahreyn1.jpg

Kushner mbajti një fjalim në hapje të Konferencës Ekonomike të Bahrejnit, e cila filloi punimet të martën në kryeqytetin e Bahrejnit, Manamë, nën sponsorizimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Ai tha se konferenca nuk ka asnjë anë “politike”.

“Qëllimi i kësaj konference është të mendojmë mbi kapërcimin e vështirësive ekzistuese me rrugë të reja. Duke punuar së bashku ne mund të zhvillojmë një plan dhe mund të bëjmë përpjekje për ta vënë atë në jetë”,- u tha Kushner pjesëmarrësve.

Ne kemi përgatitur planin më gjithëpërfshirës që është bërë deri më tani për Palestinën dhe Lindjen e Mesme. Palestinezët kanë një personalitet intelektual, një vullnet dhe fuqi të madhe. Presidenti (Donald Trump) dhe Amerika nuk hoqi dorë nga ju pavarësisht zhgënjimit që keni pësuar nga ato që ju kanë thënë në të kaluarën. Kjo konferencë është për ju”, iu drejtua Kushner të pranishmëve.

Ky plan do të sjellë rritje ekonomike, do ta ulë papunësinë në 10% dhe do të krijojë rreth 1 milionë vende të reja pune, shtoi ai.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për nevojën e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për konfliktin mes palëve. Pa i gjetur konfliktit aktual një zgjidhje politike të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila garanton sigurinë e Izraelit dhe merr në mbrojtje dinjitetin e palestinezëve, nuk do të jetë e mundur realizimi i zhvillimit dhe mirëqenies ekonomike për popullin palestinez, vlerësoi ai.

Gjithashtu Kushner tha se vizioni që kanë paraqitur në këtë konferencë është në përputhje me paqen.

Në videon që Kushner përdori gjatë fjalimit të tij janë paraqitur pamjet e infrastrukturës, teknologjisë, arsimit dhe projekteve të energjisë në rajon, veçanërisht në Gaza dhe Bregun Perëndimor, por nuk janë treguar kufijtë e shteteve, përfshirë Izraelin dhe Palestinën.

Përkundër njoftimit të ShBA-ve se kjo është një mundësi historike për të zgjidhur konfliktet, në pamjet e paraqitura janë prezantuar investimet dhe projektet e zhvillimit mbi pamjet e hartave pa kufij, ku ndodhen Izraeli, Palestina dhe vendet e rajonit.

Mosparaqitja e kufijve në hartat në ekran gjatë fjalimit të Kushner-it ka hapur derën për mundësitë dhe spekulimet në lidhje me territorin që përfshin shtetin e dëshiruar palestinez.

Në videon promovuese të projekteve të energjisë, arsimit, teknologjisë dhe infrastrukturës, që mbulojnë Bregun Perëndimor dhe Gazën, nuk janë përmendur çështjet politike dhe praktikat e Izraelit lidhur me bllokadën e Gazës dhe vendbanimet e paligjshme në rajone të tjera.

Gjithashtu në pamje nuk është dhënë ndonjë informacion rreth lidhjes mes Gazës dhe Bregut Perëndimor, rregullimin e projekteve të planifikuara për sektorët strategjikë, siç është gazi natyror në Mesdhe, veçanërisht për sigurinë dhe shpërndarjen e të ardhurave.

Përveç Bahrejnit ,që është vendi organizator, në konferencë marrin pjesë edhe Arabia Saudite, Jordania, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Maroku.

Në konferencën e bojkotuar nga Palestina, marrin pjesë edhe biznesmenët izraelitë dhe përfaqësuesit e mediave.

Konferenca e Manamës me titull "Paqe për mirëqenie", e cila filloi dje do të vazhdojë edhe sot.



Lajme të ngjashme