Pompeo në Lindjen e Mesme për koalicion global kundër Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të dielën se do të shkojë në Lindjen e Mesme për të takuar aleatët e rajonit për të formuar "koalicion global" kundër Iranit.

Pompeo në Lindjen e Mesme për koalicion global kundër Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se janë të gatshëm për bisedime pa kushte me Iranin, por do të ndërmarrin hapa edhe për krijimin e një koalicioni global kundër Iranit.

Me qëllim për të hedhur hapin e parë në drejtim të krijimit të koalicionit global kundër Iranit Pompeo viziton Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Në përgjigje të interesit të gazetarëve në aeroportin “Joint Andrews” para nisjes për në Arabinë Saudite, sekretari Pompeo tha se pika kryesore e agjendës së takimeve të këtij turneu vizitash do të jetë Irani.

Kontaktet në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) Pompeo i cilësoi si hapin e parë drejt krijimit të “një koalicioni global kundër Iranit”.

"Ne jemi për negociata pa kushte. Ata e dinë se ku mund të na gjejnë ne. Jam i bindur se bisedimet do të fillojnë kur ata do të jenë të gatshëm për të kontaktuar me ne. Ashtu siç e tha edhe Presidenti Donald Trump, ne duam një të ardhme të ndritur për popullin iranian. Kjo është një rrugëdalje për të nisur bisedimet”,- u tha Pompeo gazetarëve.

Pas vizitës në Lindjen e Mesme Pompeo do të shkojë në Indi dhe pastaj në fund të javës do të ketë kontakte në Japoni dhe në Korenë e Jugut.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump në intervistën që kishte dhënë të dielën për një kanal televiziv kishte thënë se ai nuk dëshironte luftë me Iranin dhe se ishte i gatshëm të bisedonte me Teheranin për sa kohë që ky i fundit nuk do të parashtronte kushte.

“Unë kam bindjen se Irani është në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe është i hapur për bisedime”,- u shpreh Trump dhe shtoi:

“Irani do që të bëjë një marrëveshje. Dhe marrëveshja ime ka të bëjë me armët bërthamore. Shikoni, Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Nuk mendoj se ata janë të kënaqur nga pozicioni ku ndodhen tani. Ekonomia e tyre është me të vërtetë në një gjendje shumë të keqe”, vlerësoi presidenti amerikan.

Kjo vizitë e Sekretarit amerikan të Shtetit në Lindje e Mesme vjen vetëm disa ditë pasi ShBA dhe Irani arritën në prag të luftës pasi javën e kaluar Irani rrëzoi një mjet ajror (dron ushtarak) zbulues amerikan në Ngushticën e Hormuzit, dhe presidenti amerikan Donald Trump në minutat e fundit ndërroi mendjen për të sulmuar Iranin për shkak se ky nuk do të kishte qenë një reagim "proporcional".

Tensionet mes ShBA dhe Iranit po rriten që nga viti i kaluar, kur Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 (firmosur midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermaninë dhe BE, i njohur si grupi P5+1)

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Një pjesë e kësaj fushate ka përfshirë ri-vendosjen e sanksioneve të ShBA-së mbi eksportet e naftës së papërpunuar iraniane, e cila e ka çuar në rënie ekonominë iraniane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) gjithashtu kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar një forcë goditëse, taskëforcë bombarduese dhe bateri me raketat “Patriot” dhe kërcënimet e Iranit i përdorin si arsyetim për këto veprime ushtarake.

Të hënën e kaluar, administrata Trump njoftoi se do të dërgonte 1.000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, duke iu referuar sërish kërcënimeve në rritje që vijnë nga Irani.

 


Lajme të ngjashme