Ruhani: Përkrahësit e ligësisë mundohen të zhdukin vullnetin dhe shpresën tonë

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani tha se ndaj vendit të tij po bëhet një luftë për thyerjen e vullnetit dhe shpresës dhe kërkohet të zhduken shpresat e popullit iranian.

Ruhani: Përkrahësit e ligësisë mundohen të zhdukin vullnetin dhe shpresën tonë

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani tha se ndaj vendit të tij po bëhet një luftë për thyerjen e vullnetit dhe shpresës dhe kërkohet të zhduken shpresat e popullit iranian.

Ruhani mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të ndërtesës së terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar Imam Humeyni dhe bëri vlerësime në lidhje me sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai i cilësoi fuqitë që kanë krijuar kushtet e ndjeshme me të cilat janë duke u përballë si “përkrahësit e të keqes” dhe nënvizoi se këto fuqi kërkojnë të zhdukin shpresat e popullit iranian, por pavarësisht presioneve vendi i tij ka hedhur hapa të reja në ekonomi.  

Ruhani tha se ata që punojnë kundër Iranit janë “disa politikanë me pak eksperiencë” dhe shtoi: “Lufta që zhvillohet nga qarqet e përkrahjes së ligësisë, është një luftë për të thyer vullnetin dhe shpresën. Me komplote dhe plane ogurzeza kërkojnë të zhdukin shpresën e popullit iranian për zhvillim. Përballë kësaj populli ynë kërkon të tregojë se ka shpresë dhe është i gjallë”.

Në fjalimin e tij ai bëri vlerësime edhe për sistemin e aviacionit në Iran dhe u shpreh se në vendet ku nuk ka probleme për blerjen e avionëve, sigurimin dhe riparimin e pjesëve rezervë, ecuria e industrisë së aviacionit është e mirë, por në këtë aspekt Irani ka mangësi në mundësi të këtij lloji.

“Falë atmosferës së krijuar në opinionin publik ndërkombëtar me marrëveshjen bërthamore, arritëm me sukses të sjellim avionë të rinj në vendin tonë pas tërë atyre viteve. Kjo ishte një prej dëshirave të popullit tonë. Njerëzit tanë dëshironin të hipnin në avionë që vinin në vendin tonë direkt nga fabrika. Ky proces mund të vazhdonte. Ne ishim duke bërë plane për të blerë qindra avionë në të ardhmen për mirëqenien e popullit tonë, zhvillimit ekonomik dhe transportit në vend, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë përpara kësaj duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare” tha Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani.



Lajme të ngjashme