Egjipt – Ish-Presidenti Mursi varroset nën masa të rrepta të sigurisë

Varrimi i Mursit u bë në varrezat, ku janë të varrosur mentorët e Vëllazërisë Myslimane (Ihvanët) në lagjen Medinet Nasr të Kajros.

Egjipt – Ish-Presidenti Mursi varroset nën masa të rrepta të sigurisë

Trupi i pajetë i Presidentit të parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhamed Mursi u varros në kryeqytetin Kajro nën masa të rrepta të sigurisë.

Varrimi i Mursit u bë në varrezat, ku janë të varrosur mentorët e Vëllazërisë Myslimane (Ihvanët) në lagjen Medinet Nasr të Kajros.

Në varrim që u bë në orën 05.00 të mëngjesit, morën pjesë vetëm anëtarët e familjes dhe avokatët e Mursit.

Muhamed Mursi  67-vjeçar, i cili u përmbys me grushtet ushtarak në Egjipt, ndërroi jetë në gjykatë, ku gjykohej me akuza për “spiunazh”.

Televizioni shtetëror i Egjiptit pretendoi se “Muhamed Mursi ishte i sëmur nga një tumor dhe vazhdimisht mbahej nën kontroll mjekësor, ndërsa vdekja u shkaktua nga një sulm kardiak”.

Ndërkaq Ihvanët pretenduan se ai është vrarë qëllimisht.

Në komunikatën me shkrim të lëshuar nga Ihvanët bëhet thirrje për formimin e një komisioni hetues ndërkombëtar në lidhje me vdekjen e Mursit.

Mes tjerash në komunikatë thuhet se “Mursi është mbajtur në qeli në kushte shumë të vështira dhe është lënë për vdekje duke u privuar nga e drejta më e zakonshme për trajtim mjekësor. Për vdekjen e tij përgjegjës është udhëheqja e Egjiptit”.

Ihvanët u bënë thirrje edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera humanitare të vihen në veprim duke i bërë presion regjimit egjiptian që t'i japin fund vdekjeve të ngadalta përmes neglizhencës mjekësore në burgjet egjiptiane.

Në prononcimin e mëhershëm të bërë nga Kryeprokuroria e Egjiptit thuhet se Mursi kishte vdekur në kohën kur u dërgua në spital, ndërsa në trupin e tij nuk kishte ndonjë plagë.

Pas vdekjes së papritur të Mursit organizatat humanitare ndërkombëtare bënë thirrje për hetim të pavarur.

 


Lajme të ngjashme