Greenblatt: Plani i Paqes për Lindjen e Mesme mund shtyhet për në nëntor

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Lindjen e Mesme, Jason Greenblatt, bëri me dije se Plani i Paqes për Lindjen e Mesme, i cili njihet ndryshe si "Marrëveshja e Shekullit", mund të njoftohet në nëntor.

Greenblatt: Plani i Paqes për Lindjen e Mesme mund shtyhet për në nëntor

Duke folur në konferencën vjetore të "The Jerusalem Post" në Nju-Jork, Greenblatt tha se Plani i Paqes për Lindjen e Mesme, zbulimi i të cilit pritet prej një kohe të gjatë, mund të mbetet për në nëntor për shkak të zgjedhjeve në Izrael.

Greenblatt tha se ekipi i Presidentit amerikan, Donald Trump, për njoftimin e planit të paqes të cilin e kishte menduar ta zbulojë këtë verë, mund të presë qeverinë e re që do të formohet pas zgjedhjeve të parashikuara për në shtator në Izrael.

Duke refuzuar të japë detaje në lidhje me planin e paqes, Greenblatt tha: "Ne kemi në dorë diçka shumë të ndjeshme. Nëse e mbajmë fort të mbyllur, rrisim shanset e suksesit."

Jared Kushner, një nga kryearkitektët e planit dhe dhëndër e këshilltar i lartë i Trumpit, gjatë një interviste të emëruar "Time100" të revistës "Time" pati thënë se plani i paqes për Lindjen e Mesme do të shpallej pas muajit të ramazanit.

Ai ka vënë në dukje se plani i paqes për Lindjen e Mesme normalisht do të paraqitej në fillim të vitit, por kjo u shty pas një vendimi për zgjedhje të parakohshme në Izrael këtë vit.

"Nuk do të detyrojmë asnjë vend"

Greenblatt tha se marrëveshjet me Izraelin dhe shtetet arabe që nuk duan t'i japin palestinezët, kanë një kufi.

"Ne nuk do të detyrojmë asnjë vend të shkojë përtej pozicioneve ku ata janë të rehatshëm", shtoi ai.

Përfaqësuesi amerikan për Lindjen e Mesme ka tërhequr vëmendjen se janë të përqendruar në konferencën që aktualisht do të zhvillohet në Bahrejn për Planin e Paqes në Lindjen e Mesme.

"Samiti i Bahrejnit synon të tregojë se çfarë do të ndodhë me ekonominë e Palestinës në rast të një marrëveshjeje të paqes", tha Greenblatt.

Në konferencën ku do të diskutohen investimet për ekonominë palestineze në Bahrejn më 25-26 qershor, krahas administratës së Trumpit pritet të marrin pjesë edhe Egjipti, Maroku, Jordania, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

Kurse pala palestineze ka njoftuar se asnjë përfaqësues i tyre nuk do të marrë pjesë për shkak të tensioneve me administratën e Trumpit në çështjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Mbështetje ndaj deklaratës për aneksimin e Bregut Perëndimor

Greenblatt po ashtu ka mbështetur deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në Izrael, David Friedman, se "Izraeli ka të drejtë të aneksojë një pjesë të Bregut Perëndimor".

"Unë e mbështes këtë deklaratë. Ndërsa mbrojtjen e deklaratave të David unë ia lë vetë atij", ka thënë Greenblatt. / AA



Lajme të ngjashme