Rusia përshëndet formimin e qeverisë së koalicionit në Moldavi

Rusia përshëndeti të hënën formimin e qeverisë së koalicionit në Moldavi ndërmjet Partisë Socialiste dhe bllokut të djathtë “ACUM Da şi PAS”.

Rusia përshëndet formimin e qeverisë së koalicionit në Moldavi

Ministria ruse e Punëve të Jashtme vlerësoi zhvillimet politike aktuale në Moldavi përmes një komunikate me shkrim.

“Ne shpresojmë që situata në Kishinjev të normalizohet sa më parë që të jetë e mundur për interesin e të gjithë qytetarëve të Moldavisë dhe zhvillimin e vendit. Moska përshëndet formimin e qeverisë së koalicionit”, thuhet në komunikatën e MPJ ruse.

Ajo thekson gjithashtu se e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën në politikën e brendshme moldaviane është dialogu ndërmjet të gjitha forcave politike përgjegjëse në përputhje me parimet demokratike përgjithësisht të pranuara.

Kriza politike në Moldavi pati shpërthyer menjëherë pas formimit të qeverisë së koalicionit ndërmjet Partisë Socialiste proruse dhe bllokut të djathtë properëndimor, “ACUM Da şi PAS”.

Pas betimit në Parlament dhe fillimit të mandatit, Gjykata Kushtetuese e Moldavisë pati deklaruar se kjo qeveri koalicioni ishte antiligjore.

Me arsyetimin se nuk zbatoi vendimin që ishte marrë më herët për zgjedhje të parakohshme, Gjykata pati marrë nga Kryetari aktual i Shtetit Igor Dodon kompetencat presidenciale dhe ia pati dhënë ato kryeministrit të qeverisë së mëparshme Pavel Filip, anëtar i Partisë Demokrate.



Lajme të ngjashme