Suedi – Wallstrom: Jam krenare që kemi njohur Palestinën si shtet të pavarur

Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Margot Wallstrom, deklaroi të hënën se ndihet krenare në lidhje me vendimin e qeverisë në vitin 2014 për të njohur Palestinën si një shtet të pavarur.

Suedi – Wallstrom: Jam krenare që kemi njohur Palestinën si shtet të pavarur

Gjatë një prononcimi për televizionin shtetëror suedez (SVT), Wallstrom shprehu kënaqësinë dhe lumturinë që ajo ndjen për çfarë ka bërë qeveria, në të cilën ajo bën pjesë, në lidhje me Palestinën.

“Jam krenare për vendimin e qeverisë në vitin 2014, përmes të cilit ne njohëm Palestinën si shtet të pavarur”, tha ajo duke theksuar se nuk ka asnjë lloj pendimi për njohjen e Palestinës si shtet.

Shefja e diplomacisë suedeze potencoi gjithashtu se Stokholmi zyrtar do të vazhdojë mbështetjen e tij për Palestinën.

“Pasi ne vendosëm në 2014-n për të njohur Palestinën si shtet të pavarur, shumë vende të tjera na pasuan neve. Dhe kjo tregon se ne e kemi njohur Palestinën në kohën e duhur. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Palestinën”, u shpreh Wallstrom.

Ajo rikujtoi gjithashtu se Izraeli ka reaguar ashpër ndaj Suedisë për shkak të politikave në fjalë.

“Edhe pse më thonë që të mos shkoj në Izrael, dialogu për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Izraelit dhe Suedisë vazhdon”, përfundoi kryediplomatja suedeze.



Lajme të ngjashme