Mori fund raundi i 12-të i bisedimeve për Sirinë në Kazakistan

Në ditën e dytë të mbledhjes së 12-të të vendeve garantuese me temë Sirinë palët pjesëmarrëse mbajtën takime në formatin dypalësh dhe trepalësh për të arritur në konsensus për komunikatën përfundimtare.

Mori fund raundi i 12-të i bisedimeve për Sirinë në Kazakistan

Turqia, Rusia dhe Irani dënuan vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për njohjen e sovranitetit izraelit në Lartësirat e pushtuara të Golanit.

Në ditën e dytë të mbledhjes së 12-të të vendeve garantuese me temë Sirinë që u zhvillua në kryeqytetin Nur Sultan të Kazakistanit  palët pjesëmarrëse mbajtën takime në formatin dypalësh dhe trepalësh për të arritur në konsensus për komunikatën përfundimtare.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kazakistanit, Muhtar Tleuberdi në seancën kryesore ku ishin mbledhur delegacionet e Turqisë, Rusisë, Iranit, regjimit sirian dhe i opozitarëve lexoi komunikatën përfundimtare.

Në komunikatën në fjalë u vu theksi në angazhimin e palëve për tërësinë territoriale, pavarësinë dhe sovranitetin e Sirisë dhe në nevojën e respektimit të këtyre parimeve universale, ndërsa thuhet se nuk duhet lejuar që këto parime të minohen nga askush.

“Në këtë kontekst vendet garantuese dënojnë ashpër njohjen e pushtimit të Izraelit të Lartësirave të Golanit nga ana e udhëheqjes së ShBA-së, e cila paraqet shkelje të hapur të të drejtave ndërkombëtare, veçanërisht të rezolutës numër 479 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe që kërcënon paqen dhe sigurinë në rajonin e Lindjes së Mesme”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë gjithashtu theksohet se do të mbahet një qëndrim i përbashkët kundër agjendave separatiste që synojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje, do të vazhdohet me konsultime në lidhje me situatën në verilindje të Sirisë dhe se siguria dhe stabiliteti në rajon mund të arrihen vetëm duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.

Në mes tjerash nënvizohet edhe vendosmëria për të luftuar kundër organizatave terroriste si DAESH, Fornti Nusra, Hejet Tahrir-u Sham dhe kundër personave që ndodhen në listën e terrorit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Duke aluduar në patrullimet e koordinuara dhe në formimin e qendrës së përbashkët të koordinimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në komunikatë u vu në dukje se situata në Zonën e Çtensionimit në Idlib gjatë mbledhjes u trajtuar në mënyrë të detajuar dhe se u arrit në konsensus për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Soçit të nënshkruar më 17 shtator 2018.

Në komunikatë gjithashtu u tha se problemi i Sirisë nuk mund të zgjidhet me metoda ushtarake, ndërsa theksohet përkushtimi ndaj tranzicionit politik nën patronazhin e OKB-së.

“Me Përfaqësuesin Special të OKB-së për Sirinë janë zhvilluar takimet treshe”, thuhet në komunikatë, ndërsa bëhet e ditur se është vendosur për të përshpejtuar punimet për formimin e Komitetit Kushtetues dhe që mbledhjet e ardhshme konsultative në lidhje me çështjen të mbahen në Gjenevë.

Gjatë mbledhjes gjithashtu u bisedua për përfshirjen e vendeve të tjera si vëzhgues në formatin e Astanës dhe u arrit në konsensus për t’i ftuar Irakun dhe Libanin si fqinjët e Sirisë.

Komunikata prek edhe në shkëmbimin reciprok të disa prej të kapurve rob nga ana e palëve në konflikt të realizuara në nëntor 2018, shkurt dhe prill 2019, ndërsa u tha se grupi punues do të vazhdojë me punime në këtë drejtim.

Në komunikatë ku vihet theksi në nevojën për dërgimin e ndihmave humanitare pa parakusht popullit në Siri, bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht OKB-së iu bë thirrje për rritjen e ndihmave për Sirinë.

Gjithashtu shprehen falënderimet ish-Presidentit të Kazakistanit, Nur Sultan Nazarbajev për iniciativën dhe punimet e suksesshme të tij për formatin e Astanës.

Në fund të komunikatës u tha se është rënë dakord që mbledhja e radhës sërish të mbahet në Nur Sultan në muajin korrik.



Lajme të ngjashme