SHBA – Joe Biden zyrtarisht në garë për kandidaturën demokrate në zgjedhjet presidenciale 2020

Ish-ndihmëspresidenti amerikan u bashkua zyrtarisht të enjten në garën e ngushtë të demokratëve për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA – Joe Biden zyrtarisht në garë për kandidaturën demokrate në zgjedhjet presidenciale 2020

Joe Biden, ndihmëspresident i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga viti 2009 deri në vitin 2017, u bashkua zyrtarisht të enjten në garën e ngushtë të demokratëve për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në SHBA.

Ai e shpalli vendimin në një video të postuar në rrjetin social “Twitter”.

“Jemi në betejë për shpirtin e këtij kombi. Nëse i japim Donald Trumpit 8 vjet në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndryshojë përgjithmonë dhe rrënjësisht karakterin e këtij kombi. Unë s’mund të rri e ta shohë këtë të ndodhë”, tha Biden.

Deri tani janë bërë 20 kandidatë demokratë në garë për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, por nuk përjashtohet as mundësia që emra të tjerë më pak të njohur t’i bashkohen garës.

Joe Biden, 76 vjeç, është renditur menjëherë në mesin e kandidatëve kryesorë bashkë me senatorin e Vermontit, Bernie Sanders, i cili udhëheq në shumë anketa dhe ka provuar të jetë një mbledhës i mirë fondesh.

Në mesin e demokratëve, ish-ndihmëspresidenti i dy mandave Obama ka përvojë ndërkombëtare dhe legjislative të pashoqe dhe është ndër fytyrat më të njohura në politikën amerikane.



Lajme të ngjashme