Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Trump do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar në fillim të qershorit

Pallati Buckingham ka bërë të ditur se presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar në javën e parë të muajit qershor.

Trump do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar në fillim të qershorit

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) Donald J. Trump, i shoqëruar nga znj. Melania Trump ka pranuar një ftesë nga Madhëria e Saj Mbretëresha, për të zhvilluar një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar”, tha familja mbretërore në rrjetin social Twitter.

Vizita u konfirmua më vonë nga qeveria britanike, e cila njoftoi se “Presidenti dhe Zonja e Parë do të zhvillojnë një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar më 3-5 qershor, siç edhe u njoftua nga Pallati Buckingham të martën pasdite”, tha qeveria britanike.

Kryeministrja britanike Theresa May tha se Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA-të kanë një partneritet të thellë dhe të qëndrueshëm që bazohet në histori dhe interesa të përbashkëta.

“Ne punojmë së bashku më shumë se çdo dy kombe në botë dhe ne jemi më të sigurt dhe më të begattë për shkak të bashkëpunimit tonë”, tha ajo.

“Vizita shtetërore është një mundësi për të forcuar marrëdhëniet tona tashmë të ngushta në fusha të tilla si: tregtia, investimet, siguria dhe mbrojtja, si dhe për të diskutuar se si mund ti ndërtojmë këto lidhje në vitet e ardhshme”, shtoi May.

Protesta e mëparshme

Ftesa për një vizitë shtetërore nga kryeministrja May u paraqit te presidenti Trump gjatë vizitës së saj në ShBA më 27 janar të vitit 2017, duke shkaktuar kritika në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të ndalimit të diskutueshëm të udhëtimit të presidentit të ri në shtatë vende me shumicë myslimane.

Trump, i cili e vizitoi Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të një vizite pune në korrik 2018, u protestua nga mijëra britanikë në Londër dhe në qytete tjera të mëdha, duke përfshirë qytetet Manchester, Birmingham, Glasgow dhe Belfast.

Një peticion që i bënte thirrje qeverisë britanike për të anuluar ftesën u nënshkrua nga mbi 1,85 milionë njerëz.

Sipas peticionit çdo vizitë zyrtare shtetërore duhet të mbyllet, “sepse do të shkaktonte siklet për Madhërinë e Saj, Mbretëreshën”.

Vizita e Trumpit në Mbretërinë e Bashkuar u bë sërish objekt diskutimi kur ai ri-postoi në Twitter video antimyslimane fillimisht të postuar nga një grup i djathtë ekstrem “Britain First”, një veprim që kryeministrja May e etiketoi “të gabuar”. Kreu i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan në atë kohë komentoi duke theksuar se Trump nuk është i mirëpritur të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar.

“Presidenti Trump... përdori llogarinë e tij në Twitter për të promovuar një grup të egër ekstremist që ekziston vetëm për të krijuar ndarje dhe urrejtje në vendin tonë”, tha Khan. Kreu i Parlamentit, John Bercow, në vitin 2017 në një seancë parlamentare kishte thënë se marrëdhëniet me ShBA-të janë të çmuara dhe se vendimi i një vizite shtetërore nga një president është përtej kompetencës së kryetarit të Parlamentit.



Lajme të ngjashme