Uzbekistan-Turqi-Pakistan zhvillojnë stërvitje të përbashkët

Në Uzbekistan ka nisur stërvitja “Mburoja e Partneritetit-2019”, ku marrin pjesë njësi nga forcat e armatosura të Uzbekistanit, Turqisë dhe Pakistanit.

Uzbekistan-Turqi-Pakistan zhvillojnë stërvitje të përbashkët

Parada e hapjes së stërvitjes së përbashkët ushtarake "Mburoja e Partneritetit-2019" u zhvillua në poligonin Forish të provincës Xhizzah me pjesëmarrjen e forcave të armatosura nga të tre vendet.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Uzbekistanit, Atasheu Ushtarak në Ambasadën e Turqisë në Tashkent koloneli Mustafa Ballollu (Mustafa Baloğlu), Atasheu Ushtarak në Ambasadën e Pakistanit në Tashkent Imran Arif si dhe pjesëtarë të forcave të armatosura pjesëmarrëse në stërvitje. Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të të tre vendeve, flamujt u ngjitën në shtizë.

Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Uzbekistanit, Shuhrat Ikramov, i cili gjatë ceremonisë së hapjes iu drejtua pjesëmarrësve në turqisht dhe urdu, shprehu kënaqësinë që takohet me trupat turke në këto toka, që ata i shohin si atdheun e të parëve të tyre. Ai tha se ushtrimi i përbashkët është një tregues i bashkëpunimit ushtarak në zhvillim midis tre vendeve.

Ai shtoi se vitet e fundit Uzbekistani e ka rritur bashkëpunimin ushtarak me vende të ndryshme dhe kjo është hera e parë që vendi i tij merr pjesë në një stërvitje të përbashkët, të organizuar me pjesëmarrjen e tre vendeve.

Kurse atasheu ushtarak i Turqisë në Tashkent, koloneli Mustafa Ballollu në fjalën që mbajti në këtë ceremoni tha se Turqia është sot vendi i vetëm që lufton njëherësh me tre organizata terroriste,PKK, DAESH dhe FETO. Forcat e Armatosura Turke, të cilat kanë një përvojë të madhe në luftën kundër terrorizmit organizojnë për herë të parë një stërvitje ushtarake trepalëshe bashkë me ushtrinë e Uzbekistanit, e cila është një ushtri simotër në aspektin gjuhësor, fetar dhe kulturor, dhe me Forcat simotra të Armatosura të Pakistanit, të cilat kanë një përvojë të madhe.

Kjo stërvitje e përbashkët do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis vendeve, shtoi koloneli Ballollu.

Edhe atasheu ushtarak i Pakistanit në Tashkent, Imran Arif e vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme realizimin e një stërvitjeje të përbashkët me forcat e armatosura simotra të Turqisë dhe Uzbekistanit, duke shtuar se Pakistani i kushton një rëndësi të madhe bashkëpunimit me vendet simotra, si Turqia dhe Uzbekistani.

Duke shpjeguar se vendi i tij ka një përvojë 20-vjeçare në luftën kundër terrorizmit, Arif shprehu dëshirën për të përfituar në këtë stërvitje të përbashkët edhe nga përvoja e Turqisë dhe Uzbekistanit në luftën kundër terrorizmit.

Në kuadër të ceremonisë së hapjes së stërvitjes trupat e tre vendeve morën pjesë në paradën ushtarake.

Stërvitja do të vazhdojë deri më 26 prill dhe nga Turqia në këtë stërvitje marrin pjesë 15 ushtarë dhe oficerë nga Komanda e Forcave Speciale të Turqisë.

 


Lajme të ngjashme