DAESH pranon përgjegjësinë e sulmeve në Sri-Lankë

Është rritur në 321 numri i të vdekurve nga sulmet terroriste që shënjestruan kisha dhe hotele në ditën e Pashkëve në Sri-Lankë.

1188540
DAESH pranon përgjegjësinë e sulmeve në Sri-Lankë

Është rritur në 321 numri i të vdekurve nga sulmet terroriste që shënjestruan kisha dhe hotele në ditën e Pashkëve në Sri-Lankë.

Përgjegjësinë e sulmeve e ka marrë përsipër organizata terroriste DAESH.

Sipas lajmit të gazetës “DailyMirror” të Sri-Lankës, duke u bazuar në deklaratat e zëdhënësit të policisë për media, Ruwan Gunasekara, numri i të vdekurve nga sulmet terroriste në Pashkët e të dielës së kaluar është rritur në 321, nga të cilët 45 mësohet se kanë qenë fëmijë.

Gunasekara njoftoi se vazhdojnë operacionet e nisura pas sulmeve, duke shtuar se deri më tani janë kapur rreth 40 të dyshuar. Ai tregoi se të gjithë të ndaluari janë shtetas të Sri-Lankës.

23 prilli shpallet ditë zie kombëtare

Nga ana tjetër Presidenti i Sri Lankës, Maithripala Sirisena, ka shpallur 23 prillin ditë zie kombëtare pas sulmeve terroriste.

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Sirisena-s bëhet e ditur se presidenti do të zhvillojë takime me diplomatë të huaj për të biseduar në lidhje me çështjen e ndihmës ndërkombëtare.

Deri në përfundimin e hetimeve në vend është ndaluar qasja në platformat e rrjeteve sociale si: Facebook dhe Instagram si dhe në aplikacionin WhatsApp.

Në një deklaratë të mëparshme nga Zyra e presidentit Sirisena ishte theksuar se pas sulmeve terroriste ushtrisë i ishin dhënë kompetenca të jashtëzakonshme për të kapur dhe arrestuar të dyshuarit terroristë.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës në Sri-Lankë ndodhën sulme ndaj kishës së Shën Antonit në Kochchikade, kishave të Shën Sebastianit dhe Shën Marisë në Katana, si dhe ndaj hoteleve me pesë yje Shangri-La, Cinnamon Grand dhe Kingsbury në kryeqytetin Kolombo të Sri-Lankës.

Sipas zyrtarëve në këto sulme terroriste kanë humbur jetën të paktën 39 shtetas të huaj, përfshirë dy turq.

 


Lajme të ngjashme