Guterres: Shpresoj që konsultimet aktuale të çojnë në ripërtëritjen e negociatave në Qipro

“Shpresa ime është që konsultimet aktuale të çojnë në ripërtëritjen e negociatave”, deklaroi kreu i OKB-së në një prononcim për gazetarët, pasi i dorëzoi Këshillit të Sigurimit raportin për progresin dhe zhvillimet e shënuara në Qipro.

Guterres: Shpresoj që konsultimet aktuale të çojnë në ripërtëritjen e negociatave në Qipro

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i paraqiti të mërkurën Këshillit të Sigurimit raportin për progresin dhe zhvillimet e shënuara në Qipro nga palët mes datave 6 tetori 2018 – 10 prill 2019 për rifillimin e negociatave “konkrete dhe me fokus rezultatin”.

“Shpresa ime është që konsultimet aktuale të çojnë në ripërtëritjen e negociatave. Për këtë jam i gatshëm të ofroj të gjitha resurset e zyrës sime, me qëllim që të arrijmë një zgjidhje të përhershme për çështjen e Qipros”, deklaroi Guterres në një prononcim për gazetarët.

Në raport, kreu i OKB-së i vlerësoi dy takimet që realizuan nën mbikëqyrjen e OKB-së Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akinci dhe lideri grekoqipriot, Nicos Anastasiades, si “një shans i rrallë” dhe shtoi se pas takimeve janë marrë disa masa të rëndësishme për rritjen e besimit.

“Edhe pse gjatë konsultimeve të gjitha palët rikonfirmuan angazhimet e tyre për zgjidhjen, përpjekjet në këtë drejtim kanë dështuar”, theksoi Guterres duke ftuar të dyja palët ishullore, komunitetin turk në veri dhe atë grek në jug të Qipros, por edhe vendet garantuese të procesit, që të bëjnë përpjekje shtesë, të jenë më kreativë dhe konstruktivë për zgjidhjen e krizës.

Ai shpjegoi se gjatë këtij procesi, në Qipro janë hapur për kalime edhe dy pika kufitare të reja, janë marrë masa për rritjen e besimit – të tilla si mundësimi i përdorimit të telefonave celularë në të dyja anët e ishullit – si dhe është arritur konsensusi ndërmjet dy liderëve për pastrimin e minave në 18 zona.

“Zgjidhja e qëndrueshme e problemit qipriot është së pari në dorë të palëve. Për të arritur zgjidhjen, që të dyja palët duhet të pranojnë diçka më pak sesa presin në të gjitha çështjet. Një zgjidhje gjithëpërfshirëse do të krijojë shanse për rritjen ekonomike, mirëqenien dhe besimin; përkundrazi asnjëra nga këto s’do të bëhet”, tha ai duke shprehur vëzhgimet e tij në lidhje me procesin.

“Uroj dhe shpresoj që konsultimet në vazhdim të mundësojnë rifillimin e negociatave”, potencoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe u bëri thirrje palëve që të vlerësojnë në mënyrë konstruktive 6 pikat, të cilat ai vetë i ka propozuar më herë për të evidentuar dallimet në çështjet e rëndësishme ndërmjet palëve, në lidhje me një federatë bikomunale, bizonale dhe me të drejta politike të barabarta.

Në fund, pasi bëri me dije se përfaqësuesja speciale e tij, Jane Holl Lute, do të vazhdojë konsultimet e saj me palët në Qipro, Guterres përsëriti se është e domosdoshme që nga burimet natyrore në ishull dhe përreth tij të përfitojnë që të dyja komunitetet.



Lajme të ngjashme