Francë – Mesazhe uniteti nga e gjithë bota për zjarrin në Katedralen “Notre-Dame” të Parisit

Vende të ndryshme të botës kanë shpërndarë mesazhe uniteti për zjarrin që shkatërroi pjesërisht Katedralen e Zonjës Sonë (Notre-Dame), një objekt historik 850-vjeçar në kryeqytetin Paris të Francës.

Francë – Mesazhe uniteti nga e gjithë bota për zjarrin në Katedralen “Notre-Dame” të Parisit

“Zjarri në ‘Notre-Dame’ është një fatkeqësi për Francën, gjithashtu për Spanjën dhe Evropën. Flakët po rrafshojnë historinë, strukturën arkitekturore 850-vjeçare. Do të jetë vështirë për ta harruar këtë. Franca mund të na llogarisë edhe neve për shpëtimin e kësaj pasurie të madhe”, deklaroi Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Shefi i Romës zyrtare, Giuseppe Conte, vlerësoi nga llogaria e tij në “Twitter” se “ky është një brengë në zemër për francezët dhe për të gjithë evropianët”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu keqardhje të thellë për ngjarjen në Paris dhe shtoi: “Mendimet tona janë me miqtë tanë francezë.”

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, u prononcua gjithashtu në “Twitter” për zjarrin në simbolin e kryeqytetit të Francës. “Imazhe tmerruese dhe shqetësuese nga Parisi. Katedralja madhështore e Zonjës Sonë po digjet. Mendimet tona janë me Parisin”, shkroi ai.

Kryeministrja britanike, Theresa May, shprehu nga e njëjta platformë sociale mbështetjen e saj për zjarrfikësit që po luftonin me flakët.

“Sot jemi të gjithë me Parisin”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, përmes një postimi në “Twitter”.

Ndërsa kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, vuri në pah se zjarrin në “Notre-Dame” e ka ndjekur minutë pas minute nga media sociale dhe shtoi: “Çfarë momenti i tmerrshëm! Ndaj ndjenjat e të gjithë popullit francez.”

Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, nga ana e tij u uroi guxim zjarrfikësve në luftën e tyre me flakët që përpinë katedralen e famshme.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një mesazh nga rrjeti social “Twitter”, shprehu keqardhje për zjarrin në “Notre-Dame” dhe vijoi me këto fjalë: “Mendimet tona janë me ata që po përpiqen të shpëtojnë këtë simbol të madh të Evropës dhe me popullin francez.”

Në komunikatën e publikuar nga Vatikani u theksua se zjarri në Katedralen e Zonjës Sonë në Paris është mësuar me keqardhje të madhe dhe ka shkaktuar një tronditje të fortë. “Po lutemi për zjarrfikësit që po luftojnë me këtë situatë dramatike”, thuhej më tej në komunikatën e Selisë së Shenjtë.

Kurse Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, postoi në “Twitter” këtë mesazh: “E tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në Katedralen ‘Notre-Dame’ në Paris. Ndoshta mund të përdoreshin depozitat fluturuese me ujë për të shuar zjarrin. Duhet të veprohet me shpejtësi!”

Një deklaratë për këtë fatkeqësi në Paris ka ardhur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif. “I trishtuar që ‘Notre-Dame’, ky monument ikonë që i është dedikuar adhurimit të Zotit tonë të vetëm dhe që na afroi të gjithë neve me kryeveprën letrare të Hygosë, është shkatërruar pjesërisht pasi i ka qëndruar për mbi 800 vjet luftërave dhe revolucionit. Mendimet tona janë me francezët dhe të gjithë katolikët”, shkroi kryediplomati iranian në “Twitter”.



Lajme të ngjashme