Baku-Erevan, përpjekje për zgjidhjen e çështjes së Karabakut Malor me rrugë politiko-diplomatike

Rusia njoftoi të martën se Azerbajxhani dhe Armenia po bëjnë përpjekje për të zgjidhur çështjen e Karabakut Malor me rrugë diplomatike dhe politike.

Mnatsaganyan-Lavrov-Memmedyarov.jpg
Mnatsaganyan-Lavrov-Memmedyarov1.jpg

Sipas një komunikate me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Moskë, ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, homologu i tij azerbajxhanas, Elmar Mammadyarov dhe ai armen, Zohrab Mnatsakanyan, janë takuar në kryeqytetin rus për të biseduar në lidhje me çështjen e Karabakut Malor.

Të pranishëm në këtë takim ishin gjithashtu bashkëkryetarët e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Igor Popov i Rusisë, Stephane Visconti i Francës, Andrew Schofer i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesi special i OSBE-së, Andrzej Kasprzyk.

Në komunikatën e përbashkët me shkrim që u publikua pas takimit në fjalë, u theksua se palët morën në shqyrtim zhvillimin e marrëveshjeve të arritura në takimin që Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, realizuan më 29 mars në kryeqytetin Vjenë të Austrisë.

Komunikata vuri në pah edhe se palët realizuan një shkëmbim të gjithanshëm të pikëpamjeve mbi aspektet kryesore të çështjes së Karabakut Malor, si dhe diskutuan për ndihmat humanitare dhe situatën në vijën kufitare dhe atë të kontaktit.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit dhe ministri i Punëve të Jashtme të Armenisë konfirmuan qëllimin e tyre për të vazhduar përpjekjet e tyre për zgjidhjen e çështjes së Karabakut malor nëpërmjet mjeteve politike dhe diplomatike”, u tha mes të tjerash në komunikatën e lartpërmendur.

Pasi nënvizon interesin e palëve për të stabilizuar situatën në zonën e konfliktit duke përfshirë sidomos periudhën në të cilën kryhen aktivitetet bujqësore, komunikata vijon me këto fjalë: “Palët kanë rënë dakord të marrin masat e nevojshme për të mundësuar vizitat e personave, të afërmve të burgosur në territoret e tyre.”

Duke bërë me dije se ministrat kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’ia nisur punës në lidhje me vendosjen e kontaktit ndërmjet njerëzve, përfshi këtu edhe vizitat reciproke të përfaqësuesve të medias, komunikata potencon se ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë dhe bashkëkryetarët e Grupit të Minskut të OSBE-së kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre ndaj misionit ndërmjetësues për të garantuar paqen e qëndrueshme në rajon.

“Palët kanë rënë dakord për të vazhduar kontaktet e tyre në një ardhme të afërt”, theksohet në fund të komunikatës së përbashkët.



Lajme të ngjashme